Riparohen xhamat e selisë së PS-së pas protestës
Godina e Partisë Socialiste në Tiranë është nënshtruar riparimeve pas ditës së parë të protestave, kur protestuesit goditën me gurë ambientet e saj në dy momente të ndryshme.

Gjatë ditës së sotme, punonjësit kanë zëvendësuar xhamat e thyer të selisë socialiste, ndërsa autoritetet kanë përforcuar masat e sigurisë përreth ndërtesës.
Sipas pamjeve dhe raportimit nga terreni të Top Channel, në ambientet e jashtme të godinës është shtuar prania e efektivëve të policisë, të cilët po monitorojnë situatën pas incidenteve të një dite me parë.
Gjatë protesteve të djesmë, disa pjesëmarrës hodhën gurë në drejtim të selisë së PS-së, duke shkaktuar dëmtime në xhamat e ndërtesës.
Në të njëjten kohë, nga ambientet e brendshme të godinës dolën disa persona me fytyra të mbuluara, të cilët mbajtën shkopinj druri. Ata tentuan të largonin protestuesit që ndodheshin pranë selisë.