Kursimet e shqiptarëve janë të sigurta, thekson Banka e Shqipërisë
Banka e Shqipërisë ka theksuar se depozitat dhe kursimet e qytetarëve janë të sigurta dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve të bankave.

Banka e Shqipërisë ka reaguar duke theksuar se kufizimet e përkohshme të shërbimeve në degë të caktuara lidhen me nevojën për të mbrojtur sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve. "Banka e Shqipërisë thekson se depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta. Dëmtimet e një pjese të infrastrukturës fizike në disa degë të bankave nuk cenojnë sigurinë e depozitave të klientëve dhe as qëndrueshmërinë financiare të bankave. Qytetarët duhet të jenë të qetë se kursimet e tyre janë të mbrojtura dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve." Sipas Bankës së Shqipërisë, shërbimi i pagesave ka vijuar normalisht duke mos cënuar aktivitetin ekonomik. "Banka e Shqipërisë siguron publikun se shërbimi i pagesave ka vijuar të funksionojë normalisht dhe pa ndërprerje, duke garantuar përmbushjen e rolit të sistemit bankar si domosdoshmëri e aktivitetit ekonomik të bizneseve dhe nevojave të konsumit të familjeve." Banka e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, në ushtrimin e së drejtës së tyre për protestë paqësore, të respektojnë dhe të mbrojnë sigurinë e Bankës së Shqipërisë, të institucioneve bankare.