Aktori Tiger Shroff shpëton një sulm të armatosur në Mumbai
Aktori i njohur indian, Tiger Shroff, 36 vjeç, u sulmua në Mumbai, pasi persona të armatosur hapën zjarr ndaj automjetit me të cilin ai po udhëtonte të dielën në mbrëmje. Aktori nuk pësoi lëndime, ndërsa dy persona, përfshirë shoferi i tij, mbetën të plagosur.

Sulmi ndodhi në zonën Juhu, ndërsa Shroff po largohej nga një klub futbolli ku kishte shkuar për të luajtur. Sipas autoriteteve lokale, personat e armatosur iu afruan automjetit, i cili po lëvizte me shpejtësi të ulët pranë një turme njerëzish, dhe qëlluan disa herë në drejtim të tij.
Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë të paktën dy persona të armatosur duke qëlluar nga një distancë e afërt drejt sediljes së pasagjerit, ndërsa automjeti kalon pranë tyre. Të shtënat ndodhën në prani të civilëve.
Sipas policisë së Mumbait, dy persona u plagosën gjatë sulmit. Përveç shoferit të aktorit, mediat lokale raportojnë se u plagos edhe një shofer taksie me tri rrota, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes.
Shoferi i Shroff u dërgua për trajtim mjekësor, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve. Autoritetet po mbledhin dëshmi dhe po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të sqaruar rrethanat e sulmit.
Zëvendëskryeministri i shtetit të Maharashtras, Eknath Shinde, vizitoi aktorin pas incidentit dhe deklaroi se këto përpjekje për frikësim nuk do të tolerohen dhe se do të japin fund këtij lloj huliganizmi.