SPAK komunikon akuzat përfundimtare ndaj Ballukut
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka komunikuar të martën akuzat përfundimtare ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë në nëntë raste, korrupsion pasiv, mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë në dy raste dhe pastrim të parave në dy raste.

Sipas njoftimit të SPAK, Balluku akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë në nëntë raste, korrupsion pasiv, mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë në dy raste dhe pastrim të parave në dy raste.
Prokuroria bëri të ditur se po vijon veprimet procedurale për t'u komunikuar akuzat edhe personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të mëtejshme pritet të bëhen publike në një moment të mëvonshëm.
Çështja ndaj Ballukut nisi me hetimet për procedurat e prokurimit publik, përfshirë tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe atë të lotit të katërt të Unazës së Madhe të Tiranës, me vlerë të përgjithshme mbi 200 milionë euro.
Sipas raportimeve të mëparshme SPAK dyshon se gjatë procedurave të tenderimit janë krijuar avantazhe të padrejta për kompani të caktuara përmes ndërhyrjeve në proces. Balluku është marrë e pandehur fillimisht për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë në tetor 2025. Hetimet janë zgjeruar më pas edhe në procedura të tjera të prokurimit publik.
Në shtator 2026, SPAK njoftoi akuza të tjera ndaj ish-zëvendëskryeministres, duke përfshirë dyshimet për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Në këtë kontekst, komunikimi i akuzave përfundimtare e çon përpara çështjen penale ndaj ish zëvendëskryeministres, ndërsa SPAK pritet të përfundojë komunikimin e akuzave edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë në dosje.
Balluku gëzon prezumimin e pafajësisë dhe përgjegjësia e saj penale do të përcaktohet nga gjykata në përfundim të procesit.