Vrasja e Ismet Habilit: Dyshimet për armë me silenciator
Vrasja e 46-vjeçarit Ismet Habili në Tiranë ka ngritur pyetje të shumta për mënyrën se si u krye krimi. Automjeti ku u gjet viktima ka dëmtime të dukshme dhe xhami i shoferit është i thyer.

Vrasja e Ismet Habilit, një 46-vjeçar, në Tiranë ka ngritur pyetje të shumta për mënyrën se si u krye krimi. Automjeti ku u gjet viktima ka dëmtime të dukshme dhe xhami i shoferit është i thyer. Policia u njoftua për një aksident dhe jo për një shtënje me armë zjarri.
Një telefonatë për një aksident rrugor çoi policinë në rrugën "Mihal Popi" në bllokun "1 Maji", ku gjetën të pajetë brenda një automjeti tip "Volvo". Por pamjet nga vendngjarja dhe mënyra se si u zbulua krimi ngrenë disa pyetje për dinamikën e atentatit.
Automjeti i zi, brenda të cilit u gjet viktima, ka dëmtime të dukshme në pjesën anësore. Në dyer dhe në karroceri shihen gërvishtje dhe deformime, të cilat ngrenë dyshime se makina mund të ketë përfshirë në një përplasje. Një tjetër detaj është xhami i thyer në anën e shoferit. Dyshohet se pikërisht nga kjo anë mund të jetë qëlluar 46-vjeçari, megjithëse drejtimi i plumbave dhe pozicioni i autorit duhet të përcaktohen nga ekspertiza.
Ajo që e bën edhe më të pazakontë ngjarjen është mungesa, deri tani, e raportimeve për shtënje me armë zjarri. Policia nuk mori fillimisht një njoftim për krim, por për një automjet të aksidentuar. Vetëm kur efektivët mbërritën në vendngjarje, konstatuan se drejtuesi ishte pa shenja jete dhe dyshohej se ishte vrarë me armë.
Kjo rrethanë ka ngritur dyshime se autori mund të ketë përdorur një pistoletë me silenciator, çka mund të shpjegonte përse nuk ka pasur raportime të menjëhershme për krisma. Megjithatë, përdorimi i një arme të tillë nuk është konfirmuar nga hetuesit.
Po ashtu, mbetet për t'u sqaruar nëse dëmtimet e automjetit kanë ndodhur para ose pas shtënjes. Një nga pyetjet kryesore është nëse viktima është qëlluar teksa drejtonte makinën dhe me pas ka humbur kontrollin e saj.
Në reagimin zyrtar, policia bëri të ditur se njoftimi për automjetin e aksidentuar mbërriti në Sallën Operative rreth orës 20:20. Pas mbërritjes në rrugën "Mihal Popi", efektivët gjetën brenda automjetit shtetasin me inicialet I.H., pa shenja jete, dhe ngritën dyshimet për vrasje me armë zjarri.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për t'u përcaktuar rrethanat e ngjarjes. Ekspertiza e automjetit, gjurmët balistike dhe kamerat e sigurisë në zonë do të jenë vendimtare për t'u kuptuar se si u vra Ismet Habili dhe çfarë ndodhi me makinën e tij në momentet e fundit.