Volker Türk: Dënoj përdorimin e dhunës ndaj protestuesve, shtetet të angazhohen në dialog
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka thirrur autoritetet dhe protestuesit të ulin tensionet dhe të shmangin përshkallëzimin e dhunës në Shqipëri dhe në disa vende evropiane.

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka reaguar lidhur me protestat në Shqipëri dhe disa vende të tjera evropiane. Përmes një deklarate ai u ka bërë thirrje autoriteteve dhe protestuesve të ulin tensionet dhe të shmangin përshkallëzimin e dhunës. Në lidhje me këto, Türk përmendi protestat në Shqipëri, Belgjikë, Francë, Itali dhe Portugali, duke theksuar se zhvillimet e fundit ngrenë shqetësimet për respektimin e të drejtave të njeriut. Ai tha se qytetarët kanë të drejtën të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të degjohen, ndërsa shtetet kanë detyrimin të mundësojnë dhe të garantojnë këto të drejta. Komisioneri theksoi se personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi, ndërsa viktimave duhet t'u garantohen mjetet efektive ligjore. Në fund, Türk tha se shtetet duhet të angazhohen në dialog kuptimplotë, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv me protestuesit, veçanërisht me të rinjtë, si dhe të ndërmarin hapët konkretë për të adresuar shqetësimet legjitime dhe thelbësore lidhur me të drejtat e njeriut.