Nëntë ditë protesta, situata e qetë në bulevard; Rama në sulm për të shuar zërin qytetar
Protestat në Tiranë vazhdojnë për nëntë ditë, por situata në bulevard është e qetë. Studentët dhe pedagogët refuzojnë ftesën për dialog me kryeministër Edi Rama, ndërsa ai vazhdon retorikën e ashpër ndaj protestuesve dhe ka përgatitur një paket masash ndëshkuese për aktet e dhunës.

Protestat kundër qeverisë së Edi Rama kanë hyrë në ditën e nëntë, ndërsa situata në Tiranë paraqitet më e qetë se gjatë ditëve të mëparshme. Studentët, pedagogët dhe qytetarët vijojnë të qëndrojnë përpara Kryeministrit, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", pa incidente apo përplasje me forcat e policisë.
Megjithatë, qetësia në rrugë nuk është shoqëruar me uljen e tensioneve politike. Përkundrazi, distanca mes kryeministrit dhe protestuesve mbetet e madhe, ndërsa kërkesa për largimin e Ramës vazhdon të jetë në qendër të demonstratave.
Kryeministri u ka ofruar studentëve dialog, por ftesa e tij është refuzuar. Protestuesit kanë vijuar marshimet dhe grumbullimet, duke treguar se nuk e konsiderojnë një takim me kreun e qeverisë si përgjigje ndaj pakënaqësive që i kanë nxjerrë prej nëntë ditësh në rrugë.
Ndërkohë, Rama nuk ka hequr dorë nga gjuha e ashpër ndaj protestuesve. Sulmet verbale, nënçmimet dhe paralajmërimet për masa ndëshkuese kanë shoqëruar qëndrimet e tij, duke nxitur kritika për mënyrën se si qeveria po i përgjigjet pakënaqësisë qytetare.
Përveç deklaratave, qeveria ka përgatitur edhe një paket sanksione që synon të ashpërsojë përgjegjësinë për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës gjatë protestave.
Mes masave të propozuara është detyrimi i prindërve për të paguar dëmet materiale që shkaktojnë fëmijët e mitur, si dhe kufizimi i disa shërbimeve shtetërore për familjet e të miturve që shkatërrojnë pronën e të tjerëve. Paketa parashikon gjithashtu shqyrtimin e uljes së moshës së përgjegjësisë penale, e cila aktualisht është 14 vjeç.
Një tjetër propozim lidhet drejtpërdrejt me studentët. Qeveria synon heqjen e bursave dhe të mëshirës financiare për ata që përfshihen në akte dhunë, ndërsa për nxënësit që braktisin mësimin për të marrë pjesë në protesta të dhunshme parashikohen masa administrative.
Në paketën përfshihen edhe masa ndaj mësuesve që dyshohet se nxinësit drejt akteve të dhunës, ndalimi i pjesëmarrjes në protesta me fytyrë të mbuluar, si dhe shqyrtimi i kufizimeve për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç.
Edhe pse propozimet paraqiten si masa kundër dhunës dhe dëmtimit të pronës, shtrirja e tyre te studentët, nxënësit, prindërit dhe mësuesit ngre një debat më tjetër mbi kufirin mes përgjegjësisë individuale dhe të drejtës për të protestuar.
Në një kohë kur demonstruesit kërkojnë të dëgjohet zëri i tyre, kombinimi i retorikës së ashpër me paralajmërimet për sanksione mund të perceptohet si përpjekje për të frenuar mobilizimin qytetar. Nga ana tjetër, aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës kërkojnë përgjegjësi ligjore, pa cenuar pjesëmarrjen paqësore në protesta.
Pikërisht kjo është një nga çështjet që e ka thelluar përballjen politike. Protestuesit nuk po kërkojnë më vetëm përmirësimin e kushteve në universitete apo zgjidhjen e problemave të vëçanta. Kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit e ka zhvendosur protestën në një debat të drejtpërdrejtë për drejtimin e vendit.
Dita e nëntë vjen pas një mbrëmjeje të martë, kur qendra e Tiranës u përfshi nga përplasje të vazhdueshme. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse në bulevardin përpara Kryeministrit, në Sheshin Skënderbej dhe në rrugët përreth, ndërsa grupe protestuesish hodhën gurë dhe fishekzjarë drejt efektivëve.
Sot, pamja në bulevard është ndryshe. Protestuesit qëndrojnë përpara selisë së qeverisë pa incidente.