BE i kërkon SpaceX të rikthejë shërbimet e plota të "Starlink" për Ukrainën
Komisioni Evropian ka bërë thirrje kompanisë SpaceX për të rikthyer shërbimet e plota të Starlink në Ukrainë, pasi raportimet për kufizimin e shërbimeve janë cilësuar si "thellësisht shqetësuese".
Komisioni Evropian i ka bërë thirrje kompanisë SpaceX që të rikthejë urgjentisht shërbimet e plota të Starlink në Ukrainë, duke i cilësuar raportimet për kufizimin e shërbimeve si “thellësisht shqetësuese”. “Raportimet e fundit se Starlink ka ngadalësuar shërbimet e tij në Ukrainë janë thellësisht shqetësuese dhe në kundërshtim me mënyrën se si kompania i ka ofruar më parë këta shërbime”, tha zëdhënësi Thomas Regnier gjatë konferencës për media të mesditës. “SpaceX duhet të rikthejë urgjentisht shërbimet e plota për Ukrainën, sepse vendi ka nevojë për këtë informacion jetik për të mbajtur ushtarët të lidhur, për të mbrojtur qytetarët e tij, por edhe për të drejtuar dronët e nevojshëm për mbrojtjen e territorit”, shtoi ai. Regnier tha se lufta në Ukrainë ka dëshmuar rëndësinë e kapaciteteve hapësinore për sigurinë e Evropës, duke theksuar se blloku duhet t’i forcojë kapacitetet e veta. Raportimet e disa mediave tregojnë se SpaceX ka vendosur kufizime në disa shërbime të Starlink-ut në Ukrainë më 14 tetor, duke ndërprerë operacionet e dronëve ushtarakë dhe komunikimet. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se kufizimet kanë ndikuar në misionet me dronë, ndërsa lidhja raportohet se ndërpritej kur terminalet tejkalonin shpejtësinë prej 160 kilometrash në orë.