Greqia në alarm: një tjetër çantë e dyshimtë gjetur në Pire
Pas shpërthimit në Athinë, një tjetër çantë e dyshimtë është gjetur në Pire, duke alarmuar autoritetet greke.

Një çantë e dyshimtë është gjetur në Pire, duke alarmuar autoritetet greke pas shpërthimit të një bombe në zonën e Akademisë së Platonit në Athinë, ku mbeten të plagosur katër persona. Menjëherë pas zbulimit të çantës së braktisur, policia rrethoi zonën dhe kërkoi ndërhyrjen e ekspertëve të Departamentit të Asgjësimit të Mjeteve Shpërthyese (TEEM), të cilët mbërritën në vendngjarje për të kontrolluar përmbajtjen e saj.
Alarmi vjen pas shpërthimit të mëparshëm në hyrje të një pallati në Athinë, ku një pajisje eksplozive e fshehur në një çantë u aktivizua në momentin kur një efektiv policie e hapi. Nga shpërthimi mbeten të plagosur dy policë dhe dy qytetarë, ndërsa autoritetet po hetojnë mundësinë që pajisja të ishte vendosur si kurth ndaj efektivëve.
Pas gjetjes së çantës në Pire, Policia Helenike njoftoi pezullimin e qarkullimit të automjeteve në kryqëzimin e rrugëve Iroon Polytechniou dhe Karaoli & Dimitriou. Më pas, kufizimet u zgjeruan edhe në rrugën Tsamadou, në segmentin nga rruga Notara deri te rruga Karaiskou. Efektivët e policisë rrugore u vendosën në zonë për të devijuar automjetet drejt rrugëve alternative, ndërsa masat e sigurisë shkaktuan trafik të rënëduar.
Autoritetet greke mbeten në gatishmëri të shtuar pas dy incidenteve, ndërsa pritet përfundimi i kontrollit të çantës së gjetur në Pire për të përcaktuar nëse ajo përmban ndonjë material të rrezikshëm. Deri tani nuk ka informacion që konfirmon praninë e eksplozivit në çantën e dytë apo ndonjë lidhje mes dy ngjarjeve.