Basania: Po shqyrtoj largimin nga kampionati për shkak të arbitrimin
Klubi shqiptar Basania po shqyrton tërheqjen nga kampionati për shkak të arbitrimin të dy ndeshjeve të fundit, duke akuzuar sektorin e arbitrimit për mungesë profesionalizmi dhe përgjegjësi.

Basania ka shpërthyer kundër arbitrimit pas dy ndeshjeve të fundit në kampionat. Humbjet ndaj Tërbunit dhe Vëllaznit kanë nxitur akuza të forta nga drejtuesit e klubit, të cilët pretendojnë se vendimet e gjyqtarëve kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e skuadrës.
Fillimisht ishte trajneri Arbër Shytani ai që ngriti shqetësimin për mënyrën se si arbitrat drejtuan të dyja takimet. Por reagimi nuk u ndal te stafi teknik. Presidenti Ermir Shimaj doli publikisht në mbështetje të trajnerit, duke akuzuar sektorin e arbitrimit për mungesë profesionalizmi dhe përgjegjësi, veçanërisht në kategoritë e ulëta.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shimaj deklaroi se investimet që klubet bëjnë në futboll po zhvlerësohen nga vendimet e arbitrave. “Përsëritet sërish edhe këtë javë e njëjtë situatë. Ne po investojmë me dashamirësi në futboll, ndërkohë që me investimin tonë po tallen arbitrat, për të mos thënë më shumë! Të pakten për kategoritë e ulëta, të cilat i njoh mirë, niveli i pasionit dhe i ndërgjegjes në sektorin e arbitrimit është tejet, tejet i ulët, me përjashtime të rralla në aspektin pozitiv”, shkruan presidenti i Basanias.
Por Shimaj nuk është mjaftuar vetëm me denoncimin publik. Ai ka paralajmëruar se po shqyrton edhe largimin e skuadrës nga kampionati, nëse situata vijon në të njëjtën mënyrë. “Kjo situatë nuk mund të pranohet më dhe realisht po shqyrtoj të gjitha opsionet, edhe tërheqjen nga kampionati”, përfundon ai.
Deklarata e presidentit e zhvendos tashmë çështjen përtej pakënaqësive të zakonshme pas një ndeshjeje. Basania po vendos në diskutim vazhdimin e pjesëmarrjes në kampionat, ndërsa drejtuesit e saj kërkojnë përgjegjësi për arbitrimin në dy takimet e fundit.