Trump: Lirimi i amerikanit nga Rusia, një sukses diplomatik i drejtpërdrejtë
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar lirimin nga Rusia të shtetasit amerikan Stephen Hubbard, 74 vjeç, pas një kërkese që i kishte drejtuar personalisht presidentit Vladimir Putin. Lirimi u bë pa shkëmbim të burgosurish dhe Hubbard është në rrugën për në atdhe për të marrë trajtim mjekësor.

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar lirimin nga Rusia të shtetasit amerikan Stephen Hubbard, 74 vjeç, pas një kërkese që i kishte drejtuar personalisht presidentit Vladimir Putin. Hubbard ishte dënuar në vitin 2024 me gati shtatë vite burg, nën akuzën se kishte luftuar në krah të Ukrainës.
Trump deklaroi se Hubbard ishte rrugës për në atdhe, duke theksuar se lirimi ishte realizuar pa shkëmbim të burgosurish. Departamenti amerikan i Shtetit e kishte cilësuar ndalimin e tij të padrejtë.
Lirimi u bë ndërsa i dërguari amerikan Steve Uitkoff zhvillonte bisedime me Putinin në Shën Petersburg. Presidenti rus njoftoi gjatë takimit se 74-vjeçari ishte dërguar në aeroportin Pulkovo. Sipas CBS, Hubbard ishte në gjendje të rënduar shëndetësore dhe pritej të transportohej në Teksas për trajtim mjekësor.
Presidenti amerikan e paraqiti lirimin si rezultat të angazhimit të drejtpërdrejtë diplomatik. Ai argumentoi gjithashtu se vendimi për pezullimin e sanksioneve ndaj Rusisë kishte ndihmuar në mbajtjen hapur të negociatave për kthimin e Hubbard.
Sipas Trump, nëse sanksionet do të kishin hyrë në fuqi, bisedimet për lirimin e amerikanit do të ishin ndërprerë plotësisht. Një ditë përpara njoftimit, ai kishte paralajmëruar zhvillime, duke u thënë gazetarëve: “Shikoni çfarë do të ndodhë. Kemi qenë të përqendruar te Hubbard”.
Hubbard ishte kapur në vitin 2022, pak pas nisjes së pushtimit rus në shkallë të gjerë të Ukrainës. Prokurorët rusë pretendonin se ai ishte bashkuar me një njësi ushtarake ukrainase dhe kishte marrë trajnim e armë. Familja e tij i kishte kundërshtuar këta pretendime, duke përmendur moshën e madhe dhe mungesën e interesit të tij për ushtrinë.
Djali i tij, Joseph Coleman, prift ortodoks, e priti lajmin me emocion, duke thënë se ishte lutur prej vitesh për këtë ditë. Ai e përshkroi lirinë e të atit si “një dhuratë mëshire”, ndërsa priste ta përqafonte sërish.
Gjatë takimit me Putinin, Uitkoff e falënderoi për lirimin dhe e cilësoi “humanitar”. Ky vlerësim shkaktoi kritika nga disa ligjvënës republikanë, të cilët kundërshtuan gjuhën e përdorur ndaj presidentit rus.