Erkand Qerimaj shpjegon arsyen e vizitës në Prokurorinë e Posaçme
Peshëngritësi Erkand Qerimaj është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për të bërë kallëzim.

Peshëngritësi dhe sportisti i njohur shqiptar Erkand Qerimaj është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Të shumta ishin pikëpyetjet se me çfarë lidhet kjo vizitë e sportistit të njohur në Prokurorinë e Posaçme.
Në një reagim ekskluziv për Top Channel, Qerimaj ka shpjeguar arsyen e paraqitjes në SPAK, duke u shprehur se nuk është nën hetim nga prokuroria. “Nuk kam fletëthirrje, po bëj kallëzim”, është shprehur Qerimaj shkurtimisht.
Gazetari i Top Channel, Endi Tufa bën me dije se kallëzimi i Qerimajt lidhet me presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza. Me këtë të fundin, Qerimaj ka pasur edhe më parë përplasje dhe e ka akuzuar për shkelje të ndryshme dhe abuzim me fondet.