Shoqata e Prokurorëve reagon ndaj kritikave të Taulant Ballës
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për vendimmarrjen e prokurorit të Tiranës, Arbër Berisha, lidhur me arrestimet gjatë protestave.

Shoqata e Prokurorëve shpreh shqetësimin për akuzat e Ballës ndaj prokurorit Arbër Berisha, të cilin deputeti socialist e akuzoi për lidhje politike me përfaqësues të Partisë Demokratike, duke kërkuar ndërhynjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Shoqata thekson se vendimmarrja e prokurorëve duhet të mbështetet vetëm në ligj dhe prova, ndërsa paralajmëron se pretendimet politike të pambështetura në fakte konkrete mund të cenojnë pavarësinë e tyre. Shoqata sqaron se urdhrat e prokurorit për lirimin e menjëhershëm, kur konstatohen arrestime të kryera në kundërshtim me ligjin, nuk përbejnë vendime për pushimin e çështjes. Këto urdhrat kanë objekt ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe nuk zgjidhin përfundimisht çështjen e përgjegjësisë penale. Sipas nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit. Shoqata kundërshton interpretimin se një vendim i tillë nënkupton automatikisht mbylljen e hetimit apo përgjegjësinë penale.