Gjykata e Tiranës liron protestuesit nga qelia
Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia 11 persona, të cilët ishin arrestuar gjatë protestave studentore në Tiranë. Protestuesit u akuzuan për veprat penale "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik", "Shkatërrimi i pronës" dhe "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme".

Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia ditën e sotme 11 persona, nga 38 të shoqëruar gjatë protestave studentore në Tiranë. Sipas vendimit të gjykatës, për 8 prej tyre arrestimi është cilësuar i paligjshëm, ndërsa për tre të tjerë është caktuar masa "detyrim paraqitje".
Ata u shoqëruan pasi dyshohen për "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik", "Shkatërrimi i pronës" dhe "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme".
Kujtojmë se prej 10 ditësh në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit janë zhvilluar protesta studentore ku kërkohej dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Në kuadër të protestave, studentët kanë bojkotuar procesin e mësimin, ndërsa tubimeve i janë bashkuar dhe pedagogët. Studentët po ashtu kanë refuzuar çdo ftesë për dialog me kryeministrin Edi Rama.