Gjykata gjen të paligjshme arrestimet e 22 personave në protestë
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka rrëzuar të enjten kërkesat e prokurorisë për vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të protestuesve dhe për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj tyre.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë rrëzoi të enjten më 22 tetor të gjitha kërkesat e prokurorisë respektive për vlerësimin të ligjshëm të ndalimit të protestuesve dhe për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj tyre. Të enjten u zhvilluan tre seanca të ndryshme lidhur me kërkesat e prokurorisë për vleftësimin e arrestimeve të 27 protestuesve dhe për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj tyre. Prokuroria kërkoi vlerësimin e ligjshëm të arrestimit të 27 protestuesve për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, si dhe në 13 raste për shkatërrim të pronës. Por, gjyqtaret Marçela Shehu dhe Yrfet Shkreli çmuan se 22 prej tyre, mes të cilëve gjashtë të mitur, janë arrestuar në mënyrë të paligjshme nga Policia e Shtetit. Gjyqtaret kanë urdhëruar lirimin e menjëhershëm të 27 protestuesve, përfshi edhe atyre ndalimi i të cilëve u çmua i ligjshëm, nëse nuk mbahen në paraburgim për kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale. Për gjashtë prej të ndaluarve, u caktua masa e sigurimit personal, detyrim për t’u paraqitur. Avokati Stefan Topalli pohoi për BIRN gjatë një bisede telefonike pasditen e të enjtes se i mbrojturi prej tij ishte ndaluar teksa po ecte në trotuar, megjithëse nuk i ishte bashkuar protestës. “I mbrojturi prej meje nuk ka pasur lidhje me protestën. Ka qenë duke kaluar. S’ka pasur gjë me vete. Policia ka ndjekur protestuesit dhe në një vend ku ngushtohej rruga i ka kapur të gjithë çfarë ka gjetur”, shpjegoi avokati Topalli. Prej 13 tetorit, Tirana është përfshirë nga një valë përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të rendit, pas përshkallëzimit të demonstratave të studentëve dhe nxënësve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Të rinjtë protestojnë kundër korrupsionit, kostos së lartë të jetesës, mungesës së perspektivës ekonomike dhe kushteve të arsimit, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Demonstratat, të cilat u paraprinë nga muaj protestash kryesisht paqësore, janë shoqëruar me përleshje, dëmtime të pronës publike dhe private, përdorim të gazit lotsjellës, topave të ujit dhe plumbave të gomës nga policia, si dhe me arrestime të shumta. Policia ka raportuar për efektivë të plagosur dhe dëmtime të institucioneve, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut dhe të medias kanë ngritur shqetësime për proporcionalitetin e përdorimit të forcës.