Minxhozi: Rama ka përgjegjësi për krijimin e 'folesë' në Shqipëri
Analisti Skënder Minxhozi ka thënë se kryeministri Edi Rama ka përgjegjësi për krijimin e një mjedisit të mediave të ndryshuar në Shqipëri.

Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story”, komentoi punën e mediave gjatë protestës, ndërsa u ndal te kritika që kryeministri Edi Rama adresoi sot për pronarët e tyre. Duke publikuar një tabelë ku Shqipëria renditet e para për numrin e policëve të plagosur dhe e fundit për protestuesit e lënduar, Rama akuzoi disa televizione se kanë shtrembëruar të vërtetën dhe kanë përshkallëzuar situatën. Minxhozi u shpreh se përgjegjësia për gjendjen e sotme të medias nuk mund t’i atribuohet vetëm televizioneve, por edhe vetë kryeministrit. Ai solli në vëmendje marrëdhëniet mes disa pronarëve të mediave dhe qeverisë, duke theksuar se, sipas tij, ata kanë përfituar kontrata të majme nga qeveria. “Spunton nga ky diskutim po e marrim nga personi që është përgjegjës për ndërtimin e folesë. Nëse kjo fole grerëzash është e tillë sot, ka dhe një palë duar të mëdha përgjegjësie që janë ato të vetë ish-gazetarit dhe polemistit të shkëlqyer Edi Rama të dikurshëm. Në ekranet e caktuara, që edhe ti i përmende, pronarët kanë marrë kontrata shumë të majme nga qeveria. Do t’u kërkohej të ishin të paktën të balancuara. Rama, si një personazh thellësisht ndarës, ka që e duan shumë, ka që e urrejnë shumë”, tha Minxhozi.