"Financime të dyshimta te protesta" në Shqipëri: Labinot Bislimi për hetime dhe aktivizim të shërbimeve të brendshme
Labinot Bislimi, anëtar i Aleancës, ka thënë se protestat në Shqipëri janë pjesë e demokracisë, por që duhet të dallohet mes protestave qytetare dhe sulmeve ndaj shtetit. Ai ka ngritur pyetje mbi financimet e mundshme dhe ka kërkuar hetime mbi burimet e tyre.

Labinot Bislimi, anëtar i Aleancës, në një intervistë për "Ora e Fundit" në ABC News, ka diskutuar mbi protestat në Shqipëri dhe ka theksuar se ato janë pjesë e demokracisë. Ai ka thënë se nuk beson që zhvillimet politike ndodhin rastësisht dhe se pas tyre mund të ketë organizime. Megjithatë, ai ka theksuar se protestuesit dhe protestat nuk duhen paragjykuar.
Bislimi ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi përkufizimet ideologjike të përdorura në debatin politik, duke iu referuar Lëvizjes Bashkë dhe qendrimeve të Arlind Qorit. Ai ka thënë se është e rëndësishme të dallohet protesta qytetare nga sulmet ndaj institucioneve shtetërore.
Në vijim, ai ka ngritur shqetësimin për financimet e mundshme në Shqipëri, duke argumentuar se duhet të hetohen burimet e tyre dhe se institucionet përgjegjëse duhet të kenë informacion mbi origjinën e fondeve që përdoren në aktivitetin publik dhe politik. "Unë nuk kam besuar asnjëherë që në politikë ndodh diçka rastësisht. Gjithmonë ka një organizim. Nga ana tjetër nuk duhet t’i licojmë protestuesit dhe as protestat. Unë do kisha thënë që protestat janë normale në një demokraci. Janë të shëndetshme dhe qytetari nuk ka pse të mjaftohet me atë që bën një qeveri. Një ballafaqim i qytetarëve me pushtetin është normalitet. Por këtu duhet të dallojmë sulmin mbi shtetin dhe protestat qytetare që bëhen. Por nëse është një rrjet që e quajnë antifashist, në qeveri në Shqipëri është e djathta apo e majta? Është PS, dhe unë shtroj pyetjen kur është Arlind Qori? Është i majtë, ekstrem i majtë, apo ekstrem i djathtë? Gjuhën që përdor Arlind Qori nuk e kuptoj si të majtë, as Albin Kurtin nuk e kuptoj si të majtë. Ose ne kemi problem ose kanë ata. Për mua në Shqipëri ka financime dhe nuk është çështja a duhet të ketë hetime mbi Arlind Qorin, por përse nuk ka hetimi mbi secilin që merr fjalën publike. Shërbimet e brendshme duhet të ishin aktivizuar prej shumë kohësh për të ditur nga rrjedhin financa”, tha ai.