Lara Colturi, e jashtëzakonshme, e nis Kupën e Botës me vendin e dytë në Austri
Skiatorja kuqezi e nisi sezonin e ri në Kupën e Botës në Skitë Alpine në vendin e dytë në Austri.

Skiatorja kuqezi, Lara Colturi, është e jashtëzakonshme. Ajo nisi sezonin e ri në Kupën e Botës në Skitë Alpine në vendin e dytë në Austri. Gara e parë u zhvillua në Solden në disiplinën e slalomit gjigant. Lara Colturi mbylli në vendin e dytë me kohën e përgjithshme 2 minuta 14 sekonda e 83 të qintat, vetëm 18 të qintat më shumë se Paula Moltzan që fitoi këtë garë. Vendin e tretë e shkoi Emma Aicher.
Në zbritjen e parë, Lara Colturi u pozicionua në vendin e 6 me kohën 1 minutë 8 sekonda e 5 të qintat. Zbritja u fitua nga legjenda Mikaela Shiffrin me 1 minutë 07 sekonda e 27 të qintat dhe pas saj u renditën Sara Hector e dyta dhe Camille Rast e treta.
Në zbritjen e dytë, paraqitja e Lara Colturit ishte akoma më fantastike, me kohën 1 minutë 6 sekonda e 78 të qintat, që ishte koha e tretë më e mirë e kësaj zbritjeje pas asaj të Gasienica Daniel dhe Zenere. Por ajo që ka shumë rëndësi është koha e përgjithshme që e pozicionoi Lara Colturin në vendin e dytë me skiatoren kuqezi që në këtë garë të parë la pas emra të tillë si Camille Rast dhe Mikaela Shiffrin që e mbyllën garimin e tyre në këtë ndalesë të parë jashtë podiumit respektivisht në vendin e 6 dhe të 7.