Protestuesit të riorganizohen, ndërkohë policia i hedh gaz në bulevardin e Tiranës
Protestuesit që marshonin në bulevardin e Tiranës u riorganizuan pasi policia i hedh gaz në bulevardin e qytetit. Protestuesit u shpërndanë në rrugë të ndryshme, por u rimblodhën në sheshin "Skënderbej" dhe në rrugët paralele.

Rreth orës 2:30 të pasdites së shtunë, gjithçka ishte e qetë para Kryeministrisë. Punonjësit e policisë, një pjesë e mirë e të cilëve vajza të vendosura në shkallë apo përgjatë bulevardit, dukeshin po ashtu të qetë. E vetmja zhurmë vinte nga radiot e tyre. “Shpërndajini. Janë dyzet veta... Është ai me blu organizatori,” kumbon në radio urdhri për protestuesit, që gjendeshin në atë moment përpara Ministrisë së Arsimit në rrugën e Durrësit.
Në më pak se 10 minuta, qindra qytetarë që po protestonin para Ministrisë së Arsimit u zhvendosën në sheshin “Skënderbej” dhe në rrugët paralele, në përpjekje për t’i shpëtuar gazit lotsjellës, për t’u grupuar më pas përpara Kryeministrës. Këtu radhët u shtuan. Nga rrugët e shumta që dalin në bulevard, mijëra protestues, kryesisht të rinj e të reja, u dyndën në shesh. Mes protestuesve kishte grupe të organizuara, të veshura me një uniformitet të sajuar, që dolën në krye të marshimit.
Pas tyre, disa mijëra qytetarë të tjerë marshuan në paqe me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit. Tubimi i së shtunës është pjesë e valës së protestave anti-qeveritare, të cilat nisën më 31 maj paqësisht kundër projektit të një resorti turistik në zonën e mbrojtur në Zvërnec.
Në tetor, protestat morën një kthesë të dhunshme me përplasje të përditshme mes policisë dhe protestuesve. Të ushqyera nga skandalet e njëpasnjëshme të qeverisjes, rritja e kostos së jetesës dhe dhjetra pakënaqësi të tjera, protestat kanë bashkuar në rrugë studentë, profesionistë e qytetarë të thjeshtë me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në orën 3:05 të pasdites, qytetarët ishin ende duke marshuar në bulevard. Në krye të protestës, para Kryeministrisë, kishin filluar ndërkohë përplasjet e zakonshme mes disa dhjetëra protestuesve dhe policisë, por kjo nuk dukej se e prekte pjesën tjetër të turmës.
Megjithatë, 5-6 minuta më vonë, mijëra protestues paqësorë, që ndodheshin qindra metra larg pikës ku kishte përplasje, u goditën pas shpine me gaz lotsjellës. Brenda pak minutash, dhjetra forca policie dhe autoblinda të pajisura me topa uji i ndanë protestuesit në mes, duke rrethuar një pjesë të mirë të tyre që ndodheshin mes urës së madhe mbi Lanë dhe Galerisë së Arteve.
Të zënë “në kurth”, protestuesit tentuan të rezistonin duke qëlluar me gurë në të dyja drejtimet, por policia e mbuloi të gjithë bulevardin me gaz lotsjellës. Dhjetra granata të tilla gazi u hodhën në pak minuta, duke krijuar mjegull mbi parkun “Rinia” dhe bulevardin përkrah, ndërsa protestuesit u shpërndanë në drejtim të rrugës “Myslym Shyri”, në Pedonale, në Unazë dhe në rrugët e tjera lidhëse.
Shumë shpejt sheshi mbeti i zbrazur, teksa grupe të policisë i ndoqën protestuesit në disa rrugë. Megjithatë, protestuesit u riorganizuan brenda 30 minutash. Një grup prej gati 200-300 personash qëndroi përballë policisë në hyrje të parkut “Rinia”. Mijëra të tjerë u rimblodhën në sheshin “Skënderbej”, përballë një mase policie që ndalonte daljen në bulevard. Këtu protestuesit hodhën gurë dhe molotovë, ndërsa policia u përgjigj me gaz dhe plumba gome.
E lagur kokë e këmbë nga uji i hedhur prej policisë dhe me sy të skuqur nga gazi, një vajzë 28-vjeçare i tha BIRN se rezistenca ishte e vetmja zgjidhje. “Po ikna sot, s'kena të ardhme. Do ikim krejt nga këtu, po ikëm sot nga Tirana,” tha ajo, ndërsa po mblidhte veten në një zonë pa gaz.
Shumica e protestuesve ndajnë bindje të ngjashme. “Unë di të them që nuk ka kthim pas,” thotë një burrë që prezantohet si pedagog në Universitetin Politeknik, i cili tregon se në protestë ka dalë për shkak të pakënaqësive të akumuluara. Sipas tij, fakti që njerëzit i rezistojnë bombardimit me gaz dhe rikthehen në protestë është tregues se ajo nuk ndalet.