Shpenzimet për karburant, një barrë financiare për familjet shqiptare
Pjesa më e madhe e qytetarëve shpenzon më shumë se 15 mijë lekë në muaj për karburant, ndërsa 74% e tyre paguan më shumë se 15% të buxhetit mujor për këtë shpenzim.

Shpenzimet për karburant janë një barrë financiare për familjet shqiptare. Pjesa më e madhe e qytetarëve shpenzon më shumë se 15 mijë lekë në muaj për karburant, ndërsa 74% e tyre paguan më shumë se 15% të buxhetit mujor për këtë shpenzim. Kjo është një nga rezultatet e një anketës online që revista "Monitor" realizoi me 384 persona nga 16 shtatori deri më 6 tetor 2026.
Një nga gjetjet më interesante është se 25,5% e pjesëmarrësve shpenzon nga 10 deri në 15 mijë lekë në muaj për karburant, ndërsa rreth 74% shpenzon më shumë se 15 mijë lekë në muaj. 21,1% deklarojnë shpenzime nga 15 deri në 20 mijë lekë, ndërsa rreth 19,5% shpenzon më shumë se 20 mijë lekë në muaj.
Nëse këto shpenzime llogariten në bazë vjetore, barra financiare bëhet edhe më e dukshme. Një familje që shpenzon 15 mijë lekë në muaj paguan rreth 180 mijë lekë në vit për naftë ose benzinë. Për një familje me shpenzime mujore prej 25 mijë lekësh, fatura arrin në 300 mijë lekë në vit.
Këto shuma nuk përfshijnë siguracionin, taksat e automjetit, mirëmbajtjen, parkimin apo riparimet. Karburanti merr mbi 15% të të ardhurave mujore për 40% të pjesëmarrësve në anketë.
Pesha e shpenzimeve për karburant në buxhetin familjar rezulton e konsiderueshme për një pjesë të madhe të pjesëmarrësve në anketë. Rreth 60% deklarojnë se shpenzojnë nga 5% deri në 15% të të ardhurave mujore për karburant. Një tjetër kategori, 13%, deklarojnë se shpenzojnë nga 16% deri në 20%, ndërsa 14,4% e pjesëmarrësve paguajnë mbi një të pestën e të ardhurave mujore për karburant.
Në afat të shkurtër, çmimi i naftës mbetet një faktor që ndikon në shpenzimet dhe fuqinë blerëse të familjeve. Në afat më të gjatë, ulja e varësisë nga automjeti privat dhe zhvillimi i alternativave më ekonomike të transportit mund të jenë po aq të rëndësishme sa ndërhyrjet e drejtpërdrejta në çmimin e karburanteve.