Rama paralajmëron kufizime në kufi dhe shton fantazinë për “duar të huaja”: Do të gjeni belanë edhe në Europë! Dje erdhën ca nga Spanja si mercenarë
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja ndaj personave të dyshuar për përfshirje në akte dhune gjatë protestave, duke përfshirë krijimin e një regjistri elektronik dhe kontrolle të shtuara në kufi.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja ndaj personave të dyshuar për përfshirje në akte dhune gjatë protestave, duke përfshirë krijimin e një regjistri elektronik dhe kontrolle të shtuara në kufi. Regjistri do të përmbajë të dhënat e personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit dhe rendit publik. Rama paralajmëroi se personat që synojnë t’u shmangen dënimeve apo masave ligjore mund të përballen me kufizime në dalje nga Shqipëria.
Ai shkoi edhe më tej, duke deklaruar se autoritetet shqiptare do të informojnë strukturat e vendeve pritëse dhe kompanitë e transportit për personat që i konsiderojnë të rrezikshëm. Propozimi ngre pikëpyetje për respektimin e prezumimit të pafajësisë, mbrojtjen e të dhënave personale dhe kriteret ligjore për kufizimin e lëvizjes, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona që janë vetëm nën hetim.
Rama deklaroi se policia do të ushtrojë të drejtën për kontrollin e kufirit shtetëror për të refuzuar daljen nga vendi personave që synojnë t’u shmangen dënimeve apo masave për vepra penale. Ai gjithashtu deklaroi se do të njoftohen strukturat e vendeve pritëse për rrezikun e këtyre personave, përfshirë edhe kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren.
Rama tha se çdo dhunues do të gjejë belanë për të rihyrë apo për të qëndruar i qetë në Europë pa mbaruar punë me ligjin në Shqipëri. Ai gjithashtu deklaroi se thirrjet për dhunë në rrjetet sociale do të pasohen nga një njoftim për fshirjen e postimit dhe mospërsëritjen e tij, duke ofruar edhe mbështetje psikologjike nëse ka nevojë.