Plagoset 19-vjeçari në Korçë, autorit i kapet 23-vjeçari, kishte thyer arrestin shtëpiak
Një konflikt mes të rinjve në Korçë përfundoi me plagosjen me thikë të një 19-vjeçari, ndërsa autorit i kapet një 23-vjeçar që kishte thyer arrestin shtëpiak.

Një konflikt mes disa të rinjve në qytetin e Korçës ka përfunduar me plagosjen me thikë të një 19-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur pasditen e kësaj të diele në lagjen nr. 11 të qytetit. I plagosur ka mbetur 19-vjeçari me iniciale M. A., i cili është goditur me thikë në kofshë gjatë konfliktit. Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë ndërhyrë, duke bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar, 23-vjeçarit me iniciale R. I. Nga verifikimet ka rezultuar se i riu ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të cilën dyshohet se e kishte thyer në momentin e ngjarjes. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, efektivët e policisë kanë gjetur edhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kanabis sativa. Ndërkohë, 19-vjeçari i plagosur është transportuar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia po vijon veprimet për arrestimin e 23-vjeçarit, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të konfliktit.