Çfarë mësimesh duhet të nxjerrin autokratët e tjerë të rajonit pas humbjes së Vuçiç?
Humbja e Aleksandër Vuçiç në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit nuk paraqet thjesht ndërrim qeverie; ajo përfaqëson një refuzim të thellë politik të modelit autokratik të qeverisjes, që ai e ndërtoi gjatë më shumë se një dekade.

Kur protestat studentore morën hov gjatë vitit 2025, Aleksandër Vuçiç premtoi se do t’i mundte dhe se do të shkruante një libër se si fitohet ndaj “revolucioneve me ngjyrë”, një aludim i qartë ndaj Maidanit ukrainas. Në vend të kësaj, ai mundet tani të shkruajë një libër tjetër: se si humbet pushteti përmes arrogancës, kapjes së institucioneve dhe besimit të gabuar se frika mund të zëvendësojë përgjithmonë legjitimitetin. Humbja e tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit nuk paraqet thjesht ndërrim qeverie; ajo përfaqëson një refuzim të thellë politik të modelit autokratik të qeverisjes, që ai e ndërtoi gjatë më shumë se një dekade. Por kjo humbje nuk ndodhi në vakum. Ajo pasoi gati dy vjet mobilizim të udhëhequr nga studentët, i cili u zgjerua gradualisht përtej universiteteve dhe u bë një nga lëvizjet qytetare më të gjera në historinë postkomuniste të Serbisë. Studentët i dhanë lëvizjes autoritet moral, disiplinë organizative dhe një gjuhë të llogaridhënies; por forca e saj qëndronte në aftësinë për të bashkuar mësues, fermerë, profesionistë, aktivistë vendorë dhe qytetarë në qytete e qendra të vogla në të gjithë vendin. Ajo që nisi si një protestë kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë u shndërrua në një refuzim më të gjerë të një sistemi politik, që e ktheu frikën, patronazhimin dhe kapjen e institucioneve në mjete të qeverisjes. Autokracia bashkëkohore nuk lind domosdoshmërisht nga një parti apo një ideologji e vetme. Ajo ndërtohet si rrjet i koordinuar kontrolli mbi paranë, median, shërbimet e sigurisë dhe institucionet publike, me një qëllim mbizotërues – ruajtjen e pushtetit të përhershëm, pasurimin, pandëshkueshmërinë dhe mbrojtjen nga ndryshimi demokratik. Në Serbi, ky model u imponua përmes zgjedhjeve të përsëritura dhe legalizimit të kapjes së shtetit. Administrata, ndërmarrjet publike, gjyqësori, mediat dhe organet kushtetuese u shndërruan gradualisht në zgjatime të Partisë Progresiste Serbe dhe të liderit të saj. Sistemi u mbështet në tri shtylla. Së pari, u shkatërrua ndarja e pushteteve duke nënshtruar gjyqësorin, prokurorinë, Kuvendin dhe organet e tjera kushtetuese të logjikës së lojalitetit, ndërsa ligji u zbatua në mënyrë selektive – për të dënuar kundërshtarët dhe për t’i mbrojtur përfituesit e privilegjuar të pushtetit. Së dyti, u ndërtua një ekonomi politike e patronazhit, në të cilën kontratat publike, licencat, emërimet dhe burimet shtetërore shpërblenin besnikërinë dhe financonin aparatin elektoral e propagandistik. Vëzhguesit ndërkombëtarë dokumentuan përdorimin e burimeve të ndërmarrjeve publike në fushatën e SNS, ndërsa dhjetëra televizione, kryesisht media rajonale, transmetuan fjalimet e Vuçiç në tërësi gjatë orëve kryesore – një asimetri e qartë e burimeve publike në favor të partisë në pushtet. Së treti, hapësira informative u kolonizua ku mediat publike dhe një pjesë e konsiderueshme e mediave private u vendosën nën kontroll politik, ndërsa kundërshtarët u portretizuan si tradhtarë, agjentë të huaj ose përfaqësues të grupeve të dhunshme që synonin të merrnin pushtetin. Ky ishte thelbi i “stabilitetit” të Vuçiç– jo autonomia e institucioneve, por pamundësia e qytetarëve për t’i sfiduar ata që i kontrollonin. Dimensioni më i errët i këtij sistemi u shfaq megjithatë kur pushteti u përball me lëvizjen studentore. Në vend që të përgjigjej me argumente, dialog institucional dhe reforma, ai u përgjigj me dhunë të deleguar dhe inerci nga policia. Në të gjithë Serbinë, meshkuj të maskuar me rroba të zeza, kapele dhe maska që mbulonin fytyrën sulmuan protestuesit, goditën pronarë biznesesh që i mbështesnin studentët dhe sulmuan selitë e kundërshtarëve politikë. Në Valjevë, grupe të maskuara pro-qeveritare dëmtuan kafene të lidhura me lëvizjen protestuese dhe sulmuan qytetarë që i mbështesnin ata. Në Novi Pazar, persona të maskuar hynë në Universitetin Shtetëror dhe dëbuan me dhunë studentët që ishin duke protestuar brenda ndërtesës për muaj të tërë; policia nuk ndërhyri dhe, më pas, u pengoi studentët të ktheheshin në fakultet. Këta nuk ishin teprime të izoluara. Ato zbuluan një sistem në të cilin represioni ishte i privatizuar derisa dhuna i delegohej grupeve të lidhura me pushtetin, ndërsa institucionet shtetërore tërhiqeshin në heshtje. Brenda kësaj arkitekture, policia nuk mbrojti rendin kushtetues; ajo mbrojti pushtetin politik të Vuçiç. Ajo përdori gaz lotsjellës dhe dhunë kundër studentëve në Novi Sad, ndërsa grupet e dhunshme pro-qeveritare shpesh vepronin pa pasoja. Pati arrestime masive, përdorim të tepruar të forcës gjatë protestave dhe paraburgimit. Zyrtarë të lartë të regjimit inkurajonin dhe legjitimonin dhunën ndaj protestuesve; fakti që Vuçiç i fali katër persona të lidhur me SNS, të akuzuar për sulm ndaj studentëve në Novi Sad, e përforcon vetëm më shumë këtë përfundim. Këtu qëndron prova më e qartë se Serbia e Vuçiç nuk ishte një shtet ligjor me mangësi, por një shtet në të cilin ligji, policia dhe dhuna shërbenin si instrumente të të njëjtit projekt politik. Në këtë arkitekturë, zgjedhjet nuk ishin mekanizëm i zakonshëm për transferimin e pushtetit; ato ishin instrument për legjitimimin e tij. Ato mbaheshin rregullisht, por nën kushte thellësisht të pabarabarta. Opozita përballej vazhdimisht me qasje asimetrike në media, ndërsa Vuçiç dhe aleatët e tij shfrytëzonin burimet publike, ushtronin presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe ndërtuan një aparat elektoral që e shndërronte shtetin në makinë votimi.