Shoqëria civile depoziton kallëzim penal për dhunën policore ndaj protestuesve
Shoqëria civile depoziton kallëzim penal për dhunën policore ndaj protestuesve, duke e kërkuar hetimin e 180 rasteve të pretenduara të dhunës policore ndaj qytetarëve, studentëve dhe gjimnazistëve.

Një grup akademikësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku kërkojnë hetimin e rasteve të pretenduara të dhunës policore ndaj studentëve dhe protestuesve. Ata bënë me dije se kanë evidentuar 180 raste të tilla që përfshijnë qytetarë, studentë dhe gjimnazistë.
Sipas tyre këto raste nuk janë ngjarje të izoluara, por dëshmi të një praktike sistematike. Olsi Nika, një nga firmëtarët e kallëzimit penal, thanë se ata solidarizohen me studentët dhe se nuk pajtohen me dhunën e ushtruar të policisë.
Përfaqësuesit kërkuan që organet e drejtësisë të shqyrtojnë në mënyrë të plotë denoncimet dhe të vënë përpara përgjegjësisë personat që mund të rezultojnë të përfshirë në veprime të paligjshme. Ata kundërshtuan edhe paketën e masave të paralajmëruara nga qeveria për parandalimin e dhunës gjatë protestave, duke pretenduar se këto masa rrezikojnë të kufizojnë protestën dhe të frenojnë shprehjen e pakënaqësisë qytetare.
Një avokate e pranishme në deklaratë kërkoi që vëmendja e organeve të drejtësisë të përqendrohet edhe te efektivët e policisë ndaj të cilëve janë ngritur pretendime për ushtrim dhune. Pretendimet e paraqitura në kallëzim dhe përgjegjësia e mundshme e personave të përfshirë mbeten për t’u verifikuar nga organet kompetente.
Studentët nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga protestat për shkak të masave ndëshkuese të paralajmëruara nga qeveria. Këtë qëndrim shprehu një i sapodiplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, i cili paralajmëroi gjithashtu se masat mund të kundërshtohen në Gjykatën Kushtetuese.