Tatimpaguesit do dorëzojnë vetëm pasqyrat financiare në QKB, tatimet do i marrin automatikisht
Tatimpaguesit që mbajnë kontabilitet sipas kërkesave të ligjit përkatës, do të dorëzojnë vetëm pasqyrat financiare në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa tatimet do të marrin automatikisht.

Tatimpaguesit që mbajnë kontabilitet sipas kërkesave të ligjit përkatës, do të dorëzojnë vetëm pasqyrat financiare në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa tatimet do të marrin automatikisht. Kjo është një nga propozimet e një projektligji që synon të thjeshtojë procedurat dhe të reduktonte barrën administrative për tatimpaguesit.
Aktualisht, tatimpaguesit që mbajnë kontabilitet sipas kërkesave të legjislacionit përkatës, kanë detyrimin të paraqesin pranë organeve tatimore deklaratën vjetore së bashku me pasqyrat financiare. Ndërsa tatimpaguesit që kanë detyrimin për depozitimin e pasqyrave financiare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, paraqesin të njëjtin dokument edhe pranë këtij institucioni.
Me qëllim të thjeshtimit të procedurave dhe reduktimit të barrës administrative për tatimpaguesit, propozohet që pasqyrat financiare të paraqiten pranë organeve tatimore vetëm në rastet kur tatimpaguesit nuk kanë detyrimin për depozitimin e tyre pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Për tatimpaguesit që i depozitojnë pasqyrat financiare pranë QKB-së, informacioni do të sigurohet nga administrata tatimore nëpërmjet shkëmbimit elektronik të të dhënave ndërmjet dy institucioneve.
Por, që të mundësohet kjo, duhet që tatimet dhe QKB të kenë shkëmbim elektronik të dokumenteve mes tyre. Ndryshimet parashikojnë që: "Për tatimpaguesit që kanë detyrimin për depozitimin e pasqyrave financiare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, këto depozitohen brenda afatet e përcaktuara në legjislacionin përkatës dhe i përcillen administratës tatimore elektronikisht. Deri në mundësimin e shkëmbimit elektronik, këto pasqyra financiare depozitohen edhe pranë administratës tatimore."
Deri në mundësimin e shkëmbimit elektronik të të dhënave ndërmjet administratës tatimore dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit, tatimpaguesit do të vazhdojnë të paraqesin pasqyrat financiare edhe pranë organeve tatimore sipas procedurave aktuale. Në këtë mënyrë, sigurohet vijimësia e informacionit financiar për administratën tatimore dhe, pas funksionalizimit të shkëmbimit elektronik, eliminohet nevoja që tatimpaguesit të paraqesin të njëjtin dokument pranë dy institucioneve.
Sipas relacionit, ky ndryshim synon një administrim më të thjeshtë të detyrimeve të raportimit, reduktimin e kohës dhe procedurave të nevojshme për përbushjen e detyrimeve nga tatimpaguesit, si dhe rritjen e përdorimit të shkëmbimit elektronik të informacionit ndërmjet institucioneve publike.
Lehtësohet barta tatimore për kategori të caktuara individësh
Një tjetër ndryshim, po në këtë projektligj ka për qëllim lehtësimin e barrës tatimore për kategori të caktuara individësh.
Nëpërmjet ndryshimeve të propozuara synohet saktësimi, zgjerimi dhe unifikimi i trajtimit tatimor favorizues për të ardhurat e individëve dhe të vetëpunësuarve të vetëm që kanë statusin e personit të verbër, invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, personit surdomut dhe invalidit të punës.