Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3,4%, papunësia në nivelin më të ulët
Ekonomia shqiptare vazhdon të ruajë ritme pozitive zhvillimi, me rritje të konsumit dhe kërkesës së brendshme, aktiviteti në sektorin e shërbimeve dhe ndërtimit. Banka Botërore parashikon një rritje të ekonomisë shqiptare prej 3,4% për vitin 2026, me uljen e papunësisë në nivelin më të ulët të regjistruar historikisht.

Ekonomia shqiptare po ruan një ecuri të qëndrueshme, e mbështetur nga përmirësimi i financave publike dhe forcimi i pozicionit të jashtëm ekonomik. Borxhi publik ka rënë nën 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa parashikimet tregojnë se rritja ekonomike do të arrijë në 3,4% gjatë vitit 2026.
Megjithatë, për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm në vitet e ardhshme, vendi duhet të përshpejtojë reforma që synojnë rritjen e produktivitetit, diversifikimin e eksporteve, nxitjen e investimeve dhe përballimin e sfidave demografike. Këto janë disa nga gjetjet kryesore të raportit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Western Balkans Regular Economic Report No. 30, i publikuar në vjeshtën e vitit 2026.
Përmirësohet tregu i punës, vijon rritja e pagave
Gjatë muajve të pare të vitit 2026, ekonomia shqiptare ka ruajtur ritme pozitive zhvillimi, kryesisht falë konsumit dhe kërkesës së brendshme, aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe ndërtimit. Banka Botërore vëren se kushtet në tregun e punës kanë ndikuar në uljen e papunësisë në nivelin më të ulët të regjistruar historikisht. Paralelisht, pagat kanë vijuar tendencën rritëse, ndërsa niveli i varfërisë ka shënuar një tjetër rënje.
Edhe kreditimi i ekonomisë ka vazhduar të zgjerohet me ritme të larta. Sektori financiar paraqitet i qëndrueshëm, i mbështetur nga niveli i ulët i kredive me probleme. Ndërkohë, inflacioni ka shfaqur një rritje graduale deri në muajin gusht. Sipas raportit, kjo ecuri është ndikuar nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, shtrenjtimi i qirave si pasojë e kërkesës së shtuar nga turizmi, si dhe rritja e pagave.
Borxhi publik nën 50%, përmirësohen financat e shtetit
Treguesit fiskalë të Shqipërisë kanë shënuar përmirësim gjatë vitit 2026. Rritja e të ardhurave në buxhet ka mundësuar krijimin e një suficiti fiskal në gjashtëmujorin e pare. Sipas Bankës Botërore, suficiti buxhetor, së bashku me forcimin e monedhës së vendit, ka ndikuar në uljen e mëtejshme të borxhit publik, duke e çuar atë nën pragun e 50% të PBB-së.
Zhvillime pozitive janë regjistruar edhe në marrëdhëniet ekonomike me jashtë. Rritja e investimeve të huaja direkte, zgjerimi i rezervave valutore dhe zvogëlimi i deficitit të llogarisë korrente kanë kontribuar në forcimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë.
Megjithëse këto të dhëna tregojnë një stabilitet më të madh makroekonomik, Banka Botërore paralajmëron se problemet strukturore mbeten një pengesë e mundshme për rritjen ekonomike në të ardhmen.
Varësia nga turizmi dhe baza e ngushtë e eksporteve, sfida për ekonominë
Një nga problematikat kryesore të evidentuara në raport është mbështetja e konsiderueshme e ekonomisë shqiptare te turizmi sezonal dhe aktivitetet e shërbimeve që krijojnë vlerë të shtuar relativisht të ulët.
Eksportet shqiptare vijojnë të jenë të përqendruara në një numër të kufizuar të produkteve dhe sektorësh. Njëkohësisht, shumë kompani që arrijnë të hyjnë në tregjet e huaja kanë vështirësi për të ruajtur marrëdhëniet tregtare qëndrueshme.
Kjo situatë pengon zgjerimin e bizneseve, kufizon rritjen e produktivitetit dhe ul mundësitë për krijimin e vendeve të punës me paga më të mira.
Banka Botërore vlerëson se, duke qenë se tarifat doganore janë tashmë në nivele relativisht të ulëta, përpjekjet e ardhshme duhet të përqendrohen në eliminimin e pengesave administrative dhe rregullatore që rrisin kostot e tregtisë.