Bojkoti bllokon gjyqet në GJKKO, rreth 500 procese kanë dështuar
Bojkoti i avokatëve në GJKKO ka çuar në dështimin e rreth 500 proceseve gjyqësore, ndërsa avokatët gjobiten për bojkotin e seancave.

Lorenc Danaj është mes dhjetëra avokatëve të gjobitur nga Gjykata e Posaçme për bojkotin, që është një formë proteste e mbrojtësve ndaj rregullores që u cenon profesionin. Ditët e tij tanimë janë në gjykatat e tjera, ndërsa ka informuar klientët që përfaqëson në GJKKO se nuk mund t’i përfaqësojë derasa të ketë një zgjidhje nga GJKKO. “Kjo është një ngërç institucional. Kjo situatë nuk duhet të përshkallëzohet me masa ndëshkuese, por kërkon një dialog për të gjetur shkaqet që kanë çuar në këtë situatë dhe për ta korrigjuar atë. Qëndrimi i avokatëve duhet të jetë unik. Nuk mund t’u mohohet një e drejtë. Palët duhet të ulen në dialog” tha Lorenc Danaj. Por ndërkohë, numri i gjykimeve të dështuara ka mbërritur në afro 500 procese dhe trupat janë ndarë në disa gjyqtarë që njoftojnë shtyrjen e seancës dhe të tjerë që vendosin gjoba. “Dëmi nuk është financiar në këtë situatë, këtu bëhet fjalë për dëmin që i bëhet drejtësisë dhe palëve” deklaroi Gentian Rumano. Demi nuk është financiar në këtë situatë, këtu bëhet fjalë për dëmin që i bëhet drejtësisë dhe palëve. “Janë gjoba që do të ankimohen në Gjykatën Administrative”, u shpreh Lorenc Danaj. Por, pavarësisht kërkesës së avokatëve, të cilët që prej 8 shtatorit kanë bojkotuar Gjykatën e Posaçme, kjo e fundit jo vetëm që nuk është tërhequr nga rregullorja që prek edhe median, por ka sugjeruar edhe ndryshime ligjore. Gjykata ka deklaruar, mes masave që po ndërmerr, zhvillimin e procesit të ish-presidentit Meta pa avokatë, ndërkohë që të njëjtën gjë prokurorët e SPAK kanë kërkuar të ndodhë edhe në gjyqin ndaj Erion Veliajt.