Tensione gjatë zgjedhjeve në Izrael: Netanyahu dhe opozita akuzojnë njëri-tjetrin për manipulim të votës
Zgjedhjet në Izrael janë shoqëruar me akuza për mashtrim zgjedhor, arrestime të personave të dyshuar për blerje votash dhe pretendime se kryeministri Benjamin Netanyahu po përhap terrenin për të kundërshtuar rezultatin në rast humbjeje.

Gara parlamentare në Izrael është shoqëruar me akuza për mashtrim zgjedhor, arrestime të personave të dyshuar për blerje votash dhe pretendime se kryeministri Benjamin Netanyahu po përhap terrenin për të kundërshtuar rezultatin në rast humbjeje.
Kreu i qeverisë izraelite ka akuzuar partitë arabe për përpjekje për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në procesin zgjedhor, ndërsa opozita i ka cilësuar deklaratat e tij si një përpjekje për të frikësuar votuesit dhe për të vënë në dyshim legjitimitetin e rezultatit.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Mansour Abbas, drejtuesi i partisë Lista e Bashkuar Arabe (Raam), ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Netanyahut, duke e akuzuar atë për përhapje të pretendimeve të pavërtetuara me qëllim mobilizimin e elektoratit të djathtë. Nga ana tjetër, kampi i Gandhi Eisenkot, një prej rivalëve kryesorë të kryeministrit, ka pretenduar se Netanyahu po përhap terrenin për të kundërshtuar rezultatin nëse nuk arrin të sigurojë fitoren.
Tre të arrestuar për dyshime për blerje votash
Në qendër të debatit janë edhe arrestimet e tre personave në jug të Izraelit, të dyshuar për përpjekje për të korruptuar votuesit në favor të partisë Raam. Sipas të dhënave të bërë publike, gjatë kontrolleve në banesat e të dyshuarve janë sekuestruar më shumë se 24 mijë shekelë, rreth 6,950 euro, si dhe zarfe të pergatitura me para në dorë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka cilësuar rastin të pazakontë, duke sqaruar se personat e arrestuar nuk ndodheshin brenda qendrave të votimit, por pranë banesave të tyre. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Deri më tani, rasti është përshkruar si i izoluar dhe nuk janë paraqitur të dhëna që të deshmohin për manipulim sistematik të procesit zgjedhor.
Opozita denoncon parregullsi në qendrat e votimit
Përveç akuzave politike, gjatë procesit të votimit janë raportuar edhe pretendime për vandalizëm, zhdukje të fletëvotimeve dhe pengesa ndaj votuesve arabe të Izraelit. Organizata për të drejtat e njeriut Adalah ka ngritur shqetësimet për mënyrën e trajtimit të votuesve arabe në disa qendra votimi. Sipas pretendimeve të saj, në disa raste procesi është ngadalësuar për shkak të pyetjeve të panevojshme, ndërsa janë raportuar edhe probleme me disponueshmërinë e fletëvotimeve në gjuhën arabe.
Organizata ka kritikuar gjithashtu deklaratat e disa zyrtarëve të lartë izraelitë, të cilat i ka konsideruar nxitëse ndaj pakicës arabe. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se nuk ka tregues për manipulim sistematik të fletëvotimeve dhe se ankesat po shqyrtohen nga institucionet përkatës.
Pjesëmarrja rekord, por rezultati mbetet i hapur
Pjesëmarrja në zgjedhje ka shënuar një nivel të lartë. Deri në orën 16:00, ajo kishte arritur në 55.7%, shifër më e lartë e regjistruar për këtë orë që nga viti 1973. Megjithatë, pjesëmarrja e lartë nuk përcakton automatikisht se cili kamp do të dalë fitues. Rezultati përfundimtar do të varet nga shpërndarja e votave dhe numri i mandateve që do të sigurojë secili formacion politik. Partia Raam pretet të ketë një rol të rëndësishëm në negociatat për formimin e qeverisë, nëse opozita arrin të afrohet me shumicën parlamentare.
Me synimin për të fituar tetë vende në Knesset, ajo mund të bëhet faktor vendimtar në një garë të ngushtë. Përplasjet e fundit tregojnë se beteja politike në Izrael nuk kufizohet vetëm tek numërimi i votave, por përfshin edhe besimin tek institucionet dhe legjitimitetin e qeverisë së ardhshme. Nëse asnjëri prej kampeve nuk siguron shumicën e nevojshme, vendi mund të përballet me negociatat e vështira për krijimin e një koalicioni qeverisë.