Ligji për të drejtat e autorit shpiket dhe ngre dyshime për censurë
Ligji për të drejtat e autorit, që u votua në Kuvendin e Shqipërisë, ka krijuar paqartësi për mënyrën si do të gjejë zbatim te grupet e interesit. Ligji është konsultuar me Komisionin Europian dhe si shembuj janë marrë ligjet e Italisë, Greqisë dhe Francës.

Ligji për të drejtat e autorit, që u votua pak ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, ka krijuar paqartësi për mënyrën si do të gjejë zbatim te grupet e interesit. Për Aldor Ninin, drejtuesi i një prej kompanive që menaxhon të drejtat digjitale të disa mediave dhe artistëve, ligji i ndryshuar bie në kundërshti me direktivat e Bashkimit Europian.
Ky ligj i shpikur nga Ministria e Kulturës bën diçka ndryshe nga direktiva e BE-së. Kjo shpikje shqiptare dëshiron të anashkalojë totalisht gjykatat dhe do që një zyrë brenda ministrisë të vendosë cila është shkelje e të drejtave të autorit dhe cila nuk është. Dhe këtu ka një problem shumë të madh sepse vendimi i kësaj qeverie është i ekzekutueshëm. Ti mund të shkosh në gjykatë por sa të zgjasë gjyqi, materiali mbetet i bllokuar.
Riorganizimin e strukturës përgjegjëse për drejtorinë e të drejtës së autorit me 11 punonjës shtesë, Nini e sheh si rrezik për censurimin e përmbajtjes online. “Ata 11 persona do të justifikojnë bllokimet që kjo qeveri do të bëjë”, u shpreh Nini.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Drejtorisë për të Drejtën e Autorit, Borana Ajazi, thekson se kjo strukturë e dedikuar vepron me kërkesën e mbajtësit të së drejtës të autorit. “Janë ata që kanë detyrimin të vërtetojnë jo vetëm autorësinë e veprës për të cilën pretendojnë se ka një shkelje, por duhet gjithashtu të vërtetojnë që kërkesa e tyre është objekt i ligjit të së drejtës së autorit”, deklaroi Borana Ajazi, Drejtoria për të Drejtën e Autorit.
Ligji, sipas Ajazit, është konsultuar me Komisionin Europian, ndërsa si shembuj janë marrë ligjet e Italisë, Greqisë dhe Francës. “Ligj nuk ka përparësi ndëshkimin për shkeljen e së drejtës së autorit, përparësi është shpërblimi i autorit. Kjo në zbatim të të drejtave kryesore sikurse mund të jetë liria e fjalës, shumë materiale kanë për qëllim parodinë, këto nuk janë materiale që shkelin të drejtën e autorit, sepse duhet të kuptojmë që e drejta e autorit nuk duhet të cenojë lirinë e të shprehurit”, tha Borana Ajazi, Drejtoria për të Drejtën e Autorit.
Një tjetër debat lidhet me ndryshimet në tregun e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit dhe mënyrën si do të mblidhen të ardhurat dhe si do t’u shpërndahen autorëve. “Sot ndodh që janë disa agjenci të licensuara, mblidhen lekët nga ritransmetuesit kabllorë, mblidhen lekët nga 13 lokale në Shqipëri. Vetëm 13 lokale ka arritur të bindë Ministria me gjitha këta agjenci që të pagujnë të drejtën e autorit. Këto lekë që mblidhen shpërndahen, por si nuk e dimë”, tha Aldor Nini, Acromax.
“Ekzistenca e disa agjencive do të krijonte vështirësi te përdoruesi për të evidentuar për cilat të drejta ka paguar. Për këtë arsye, ligji vendos mundësinë e zgjedhjes së një agjencie më përfaqësuese. Më pas caktohet mënyra e shpërndarjes së të ardhurave në bazë të kontratave dhe kontratave që përfaqësojnë”, tha Borana Ajazi, Drejtoria për të Drejtën e Autorit.
Ligji hyn në fuqi disa ditë më vonë dhe do të jenë vetë autorët që do të provojë zbatimin e tij kur të dërgojnë, nëse kanë, kërkesat për mbrojtjen e të drejtave te kjo strukturë, duke paraqitur dokumentacionin që vërtetojë pronësinë e krijimit të tyre.