Balla: PD refuzoi ftesën e Begajt për konsultimet mbi datën e zgjedhjeve vendore
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka konfirmuar pjesëmarrjen e PS në konsultimet me Presidentin Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, konfirmoi pjesëmarrjen e PS-së në konsultimet me Presidentin Bajram Begaj, për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Balla theksoi se konsultimi me partitë politike për datën e zgjedhjeve është një procedurë e ndjekur edhe nga presidentët e mëparshëm, ndërsa i bëri thirrje opozitës të marrë pjesë në procesin zgjedhor. “Çdo President i Republikës ka bërë të njëjtën procedurë, duke ftuar partitë politike për konsultimin e datës së zgjedhjeve. Por sot ‘depoja e molotovëve’-SHQUP qenka shprehur kundër kësaj tradite. Uroj që t’i thërrasin arsyes dhe të marrin pjesë në ZGJEDHJET VENDORE diku mes 15 Prill – 15 Majit 2027. Të kundërtën e kanë provuar në forma të ndryshme me bojkot, me vulë, pa vulë etj.”, shkruan Balla. Në të njëjtin postim, kreu i grupit parlamentar të PS-së konfirmoi zyrtarisht pjesëmarrjen e socialistëve në takimin e thirrur nga kreu i shtetit. “Partia Socialiste konfirmon prezencën në konsultime me Presidentin e Republikës zotin Bajram Begaj mbi datën e zgjedhjeve vendore 2027”, përfundon reagimi i Ballës. Konsultimet mes Presidentit dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare pritet të paraprijnë dekretimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027, në përputhje me afatet ligjore.