Karamuço: Prokuroria di mirë çfarë ka ndodhur me Vishkullin, por duhet të jetë më transparente
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka deklaruar se Prokuroria disponon të dhëna paraprake të siguruara në rrugë operative për plagosjen e Erjon Vishkullit, por se ato duhet të mbërrijnë përmes procedurave zyrtare për të marrë vlerë provuese.

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka zbuluar detaje nga hetimet për plagosjen në sy të Erjon Vishkullit gjatë protestës, duke deklaruar se Prokuroria disponon të dhëna paraprake të siguruara në rrugë operative nga Italia, të cilat mund të përdoren si prova ligjshme në hetim pasi të përcillen zyrtarisht përmes letërpërdorosisë.
I ftuar në emisionin "Now me Erla Mëhillin", Karamuço u shpreh se organi i akuzës ka tashmë informacione mbi rrethanat e plagosjes së 28-vjeçarit, pasi hetuesit kanë shqyrtuar pamjet e kamerave dhe kanë kryer verifikime lidhur me pozicionimin e personave, trajektoren dhe goditjen që ka pësuar i ri.
Sipas ekspertit, rezultatet paraprake të një operacioni në Itali kanë sjellë informacione të tjera për hetimin. Megjithatë, ai sqaroi se të dhënat e siguruara në rrugë operative duhet të mbërrijnë përmes procedurave zyrtare, në mënyrë që të marrin vlerë provuese.
"Di të them me përgjegjësi që aktualisht prokurori e di çfarë ka ndodhur. E di, sepse para se të sekuestronte kamerat, i ka parë bashkë me OPGJ-të. E di sepse para se të sekuestronte armët, e di se ku ka qenë personi i pozicionuar. Bëhen matjet, bëhen përllogaritjet, trajektora, goditja që ka pësuar e të tjera. E di këto edhe për shkak të rezultateve paraprake të operacionit që ka ndodhur në Itali, ku në rrugë operative kanë ardhur të dhënat, por duhet të vijen me letërpërdorosi që të jenë prova të ligjshme dhe të shërbejnë hetimit", deklaroi Karamuço.
Ai theksoi se informacionet e mbledhura deri tani kanë ndihmuar hetuesit të krijojnë një version paraprak të ngjarjes. Karamuço kërkoi që Prokuroria të informojë publikun për ecurinë e hetimeve dhe për gjetjet që mund të bëhen publike pa cenuar procesin hetimor.
"Aktualisht ka një fabulë që bazohet në të gjitha këto informacione të marra në rrugë operative, por janë paraprake të hetimit. Këto informacione duhet të bëhen publike. Prokuroria duhet të jetë më transparente dhe të informojë opinionin publik për një çështje kaq të rëndësishme dhe të rëndë që ka ndodhur. Na mungon një element shumë i rëndësishëm, të cilin mundohemi të vëmë përpara ekzekutivit si presion, por që duhet ta kërkojmë edhe nga organet ligjzbatuese dhe ato të akuzës: transparenca", u shpreh eksperti.
Duke iu referuar praktikave të informimit publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Karamuço tha se institucionet e drejtësisë duhet të japin përditësime për çështjet me interes të lartë publik, veçanërisht kur bëhet fjalë për ngjarje të rënda si plagosja e Vishkullit, i cili, sipas tij, rrezikon të humbasë shikimin.
"Po të referohemi sistemit amerikan, ata kanë një praktikë që quhet public update, sidomos për çështje të sensitive, siç është rasti i këtij djalit dhe rreziku për të humbur shikimin. Prokurori i çështjes, prokurori i rrethit, Prokurori i Përgjithshëm ose një zëdhënësi i institucionit të akuzës duhet të dilte dhe të informonte publikun mbi veprimet që po kryhen dhe gjetjet aktuale, për aq sa këto informacione nuk demtojnë hetimin", përfundoi Karamuço.