Aktualitet

FED dhe BQE pritet të mbajnë të pandryshuara interesat, tregjet presin rritje në dhjetor

3 min leximPublikuar më

Burimi: Monitor ·

FED dhe BQE pritet të mbajnë të pandryshuara normat e interesit, ndërsa tregjet financiare presin një rritje në dhjetor.

Foto nga burimi: FED dhe BQE pritet të mbajnë të pandryshuara interesat, tregjet presin rritje në dhjetor

Dy bankat qendrore më të rëndësishme në botë, Rezerva Federale Amerikane (FED) dhe Banka Qendrore Europiane (BQE), pritet të mbajnë të pandryshuara normat e interesit në mbledhjet e kësaj javës, pavarësisht rritjes së presioneve inflacioniste. Megjithatë, ekonomistët parashikojnë se të dyja bankat qendrore mund të rrisin normat me 0.25 pikë përqindjeje në dhjetor, ndërsa shtrenjtimi i energjisë po e vështiron rikthimin e inflacionit pranë objektivit prej 2%.

FED do të shpallë vendimin sot, më 28 tetor, ndërsa BQE të enjten, më 29 tetor. Tregjet financiare po ndjekin me vëmendje sinjalet për drejtimin e politikës monetare gjatë muajve të ardhshëm, veçanërisht pas rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit, të nxitur nga konflikti në Lindjen e Mesme.

Sipas një sondazhi të Reuters, 94 nga 100 ekonomistët e anketuar presin që FED të mbajë normën bazë të interesit në intervalin 3.75-4% në mbledhjen e 27-28 tetorit. Megjithatë, të gjithë ekonomistët e përfshirë në sondazh parashikojnë një rritje të interesave në dhjetor, një ndryshim i ndjeshëm krahasuar me sondazhin e shtatorit, kur më pak se gjysma prisnin një ndërhyrje të tillë.

FED i rriti interesat me 0.25 pikë përqindjeje në shtator, ndërsa inflacioni në SHBA mbetet dukshëm mbi objektivin prej 2%. Në shtator, inflacioni vjetor arriti në 3.7%, i ndikuar ndër të tjera nga rritja e çmimeve të energjisë.

Ekonomia amerikane po shfaq rezistencë ndaj kostove të larta të financimit, e mbështetur nga konsumi dhe investimet në inteligjenca artificiale. Sipas sondazhit të Reuters, rritja ekonomike parashikohet në 2.3% për vitin 2026 dhe 2.1% për vitin 2027.

Vëmendja e investitorëve është përqendruar te deklaratat e drejtuesit të FED, Kevin Warsh, për të kuptuar nëse banka qendrore do të sinjalizojë një tjetër shtrëngim të politikës monetare përpara fundit të vitit.

Ndërkohë, edhe BQE pritet të ruajë normën e depozitave në 2.5%, pas dy rritjeve të interesave në qershor dhe shtator. Sipas Reuters, ekonomistët presin një rritje tjetër me 0.25 pikë përqindjeje në dhjetor, që do ta çonte normën e depozitave në 2.75%.

Inflacioni në Eurozonën arriti në 3.8% në shtator, pothuajse dyfishi i objektivit të BQE-së. Çmimet e larta të energjisë po ushtrojnë presion mbi kostot e prodhimit dhe transportit, ndërsa aktiviteti ekonomik ka shfaqur shenja ngadalësimi.

Sipas të dhënave paraprake të S&P Global, indeksi i përbërë PMI për Eurozonen ra në 51.9 pikë në tetor, nga 53.1 pikë në shtator, duke shënuar ritmin më të ngadalë të zgjerimit të aktivitetit privat në katër muaj.

BQE po përballët gjithashtu me rritjen e kostove të huamarrjes në tregjet e obligacioneve, veçanërisht në Francë, ku yield-et e titujve shtetërorë dhjetëvjeçarë kanë kaluar nivelin 5%, duke arritur nivelet më të larta në rreth 24 vjet.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se BQE duhet të rrisë interesat të paktën një herë me 0.25 pikë përqindjeje gjatë vitit 2026, për të kufizuar presionet mbi inflacionin bazë.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autoritetit sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Përmbajtje e përgatitur me ndihmën e automatizimit dhe me citim të burimit. Citimi nuk përbën verifikim të pavarur.

PARASHIKIMI I MOTIT

Moti në qytetin tënd

Po ngarkohet parashikimi…

Parashikimi nga tani: MET Norway · CC BY 4.0

HOROSKOPI I DITËS

Një çast për veten

Marrëdhëniet

Puna dhe planet

· Lexim për argëtim, i përzgjedhur automatikisht çdo ditë.