BE-ja kërkoi qeverinë e re të Serbisë të vazhdojë në rrugën e dialogut me Kosovën
BE-ja ka porositur qeverinë e ardhshme të Serbisë të vazhdojë në rrugën e dialogut për normalizimin e raporteve me Kosovën dhe të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit.

Bashkimi Evropian ka porositur qeverinë e ardhshme të Serbisë, që do të dalë pas zgjedhjeve, se nga ajo pritet sjellje konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovën, përfshirë edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash. Këtë e ka thënë një zëdhënës i BE-së, duke u shprehur se rezultati i zgjedhjeve të fundit në Serbi nuk ndryshon themelet apo obligimet nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja. “Dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk varet nga udhëheqësit politikë individualë. Të gjitha obligimet ekzistuese mbeten, përfshirë Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e implementimit, Marrëveshjen e Ohrit”, ka thënë zëdhënësi. Zëdhënësi ka shtuar gjithashtu se në këtë moment është tepër herët për të spekuluar rreth ndryshimeve të mundshme të pozicionit të Serbisë në dialog dhe implikimeve të tyre në këtë proces. “Ne presim nga Serbia që të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive, të respektojë obligimet ekzistuese dhe të kontribuojë në procesin drejt normalizimit. BE-ja mbetet e gatshme të angazhohet me lidershipin e ri për të mbajtur momentumin e këtij procesi”, ka vijuar zëdhënësi.