Aleanca e Profesionistëve të Lirë kundërshton Paketën Fiskale 2027: Rrezikohet rritja e barrës tatimore dhe konkurrueshmëria e biznesit
Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka shprehur shqetësimin për Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se masat e propozuara mund të rrisin barrën tatimore dhe kostot administrative për bizneset, si dhe të dobësojnë konkurrueshmërinë e tyre.

Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka shprehur shqetësimin për Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se masat e propozuara mund të rrisin barrën tatimore dhe kostot administrative për bizneset, si dhe të dobësojnë konkurrueshmërinë e tyre. Sipas APL-së, paketa nuk garanton koherencë të mjaftueshme mes objektivave fiskale dhe masave konkrete, ndërsa parashikohet të gjenerojë rreth 14 miliardë lekë të ardhura neto shtesë në vit, ose 0,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ndër ndryshimet kryesore të propozuara janë rritja e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%, e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, si dhe e TVSH-së standarde nga 20% në 21%. Gjithashtu, TVSH-ja për akomodimin turistik parashikohet të rritet nga 6% në 10%, ndërsa për ushqimet bazë të ulët nga 20% në 6%. Aleanca ngre shqetësime edhe për ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat personale dhe uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë.
Sipas APL-së, kjo masë, në kushtet e kapaciteteve të kufizuara administrative, rrezikon të shtojë kostot e pajtueshmërisë për bizneset pa garantuar domosdoshmërisht formalizim më efektiv. Një tjetër shqetësim i APL-së lidhet me rritjen e barrës së kombinuar tatimore mbi fitimin dhe dividendin, e cila, sipas përllogaritjeve të paraqitura nga Aleanca, shkon nga rreth 21,8% në 29,45% në rastin kur fitimi shpërndahet plotësisht.
Për këtë arsye, Aleanca kërkon që përpara miratimit të paketës të kryhet një analizë e ndikimit të masave mbi investimet private, konkurrueshmërinë rajonale dhe kapitalin vendas. Për sa i përket TVSH-së, APL vlerëson se ulja e normës për ushqimet bazë në 6% mund të ndihmojë familjet, por efekti real do të varet nga reflektimi i kësaj uljeje në çmimet përfundimtare për konsumatorët.
Ndërkohë, rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% mund të sjellë rritje të çmimeve, nëse barra shtesë përcillet te konsumatori. Sipas përllogaritjeve të paraqitura nga Aleanca, për një çmim neto të pandryshuar, çmimi bruto do të rritej me rreth 0,83%, ndërsa ulja e TVSH-së për ushqimet mund të sillte një ulje deri në 11,7%, nëse përfitimi përcillet plotësisht te konsumatori.
Aleanca e Profesionistëve të Lirë vë në dukje gjithashtu nevojën për të përmirësuar eficiencën e shpenzimeve publike përpara se të kërkohen të ardhura shtesë nga bizneset. Sipas të dhënave të cituara nga APL-ja, të ardhurat e vitit 2026 janë rreth 20,1 miliardë lekë mbi planin fillestar. Ndërkohë, investimet kapitale të parealizuara në vitin 2025 arritën rreth 25,5 miliardë lekë, me një nivel realizimi prej 84%, ndërsa dëmi ekonomik dhe efekti financiar negativ i konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerësohet në rreth 26,2 miliardë lekë.
Në përfundim, APL kërkon rishikimin e Paketës Fiskale 2027 përpara miratimit, zhvillimin e konsultimeve reale me grupet e interesit dhe publikimin e një vlerësimi të plotë të ndikimit ekonomik dhe buxhetor për çdo masë të propozuar. Aleanca kërkon gjithashtu rishqyrtimin e rritjes së tatimit mbi fitimin dhe dividendin, si dhe mbrojtjen e biznesit të vogël dhe të profesionistëve të lirë nga një barrë e shtuar fiskale dhe administrative.