Mick Schumacher: Do të hiqja dorë nga gjithçka për të folur sërish me të atin
Djali i legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, ka ndarë një rrëfim prekës në një dokumentar të Netflix, ku ka folur për dëshirën e madhe për të komunikuar sërish me të atin dhe për gjithçka që do të donte të ndante me të sot.

Mick Schumacher rrëfen dhimbjen që i shkakton mungesa e të atit, 13 vjet pas aksidentit që ndryshoi jetën e legjendës së Formula 1. “Sot do të kishim kaq shumë për të folur, sepse flasim të njëjtën gjuhë: atë të automobilizmit”, shprehet ai me emocion. Dhimbja për mungesën e të atit mbetet e fortë për Mick Schumacher. Djali i legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, ka ndarë një rrëfim prekës në një dokumentar të Netflix, ku ka folur për dëshirën e madhe për të komunikuar sërish me të atin dhe për gjithçka që do të donte të ndante me të sot, kur edhe vetë është bërë pilot profesionist.
Michael Schumacher pësoi një aksident të rëndë gjatë skijimit në Meribel të Francës, më 29 dhjetor 2013. Në atë kohë, Mick ishte vetëm 14 vjeç. Që prej asaj dite, familja ka ruajtur privatësinë e plotë për gjendjen shëndetësore të shtatë herë kampionit të botës, ndërsa bashkëshortja e tij, Corinna, dhe fëmijët janë kujdesur që ai të ketë mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Në dokumentar, Mick zbulon se çfarë i mungon më shumë nga marrëdhënia me të atin dhe sa shumë do të dëshironte të ndante me të përvojat e tij në botën e automobilizmit. “Mendoj se sot unë dhe babi do ta kuptonim njëri-tjetrin ndryshe, thjesht sepse flasim të njëjtën gjuhë: gjuhën e automobilave. Do të kishim kaq shumë për të folur. Kjo është ajo që më shkon më shumë në mendje. Do të hiqja dorë nga gjithçka vetëm për të pasur mundësinë të flisja sërish me të”, rrëfen Mick.
Mungesa e të atit është një boshllëk që Mick e ndien edhe sot, sidomos kur mendon për momentet që nuk patën mundësinë t’i përjetonin së bashku pas aksidentit. “Pas aksidentit, nuk ekzistojnë më ato momente që shumë njerëz të tjerë i ndajnë me prindërit e tyre. Mendoj se kjo është paksa e padrejtë”, shprehet ai. Megjithatë, kujtimet e fëmijërisë mbeten një burim ngushëllimi. Mick kujton kohën kur familja ishte së bashku, udhëtimet, garat me kart dhe aktivitetet që ndanin si prindër e fëmijë.
“Kur mendoj për të kaluarën, më kujtohet kryesisht se si argëtoheshim të katërt së bashku. Më kujtohet kur ngisnim kart nëpër fshat, kur hipnim mbi kuaj dhe kalonim kohë së bashku. Këto janë kujtimet që më bëjnë të lumtur”, tregon ai, duke iu referuar të atit, nënës Corinna dhe motrës Gina-Maria.
Edhe Corinna Schumacher ka rrëfyer në dokumentar se sa të çmuara janë kujtimet e jetës së tyre së bashku. Ajo shpjegon se Michael e kishte gjithmonë të rëndësishme ndarjen e jetës private nga ajo publike, një parim të cilit familja i përmbahet edhe sot, duke mos zbuluar detaje për gjendjen e tij shëndetësore. Mes kujtimeve të veçanta të çiftit është edhe kënga “Rush Rush” e këngëtares amerikane Paula Abdul, e cila ka një domethënie të veçantë për ta. “Ajo ishte kënga jonë në atë kohë. Kur e dëgjoj sot në makinë, qaj nga brenda”, rrëfen Corinna, duke zbuluar se sa fort vazhdojnë të jetojnë kujtimet e së kaluarës.
Mick Schumacher zgjodhi të ndiqte të njëjtën rrugë si babai i tij, duke e kthyer automobilizmin në profesion. Në vitin 2018, ai fitoi titullin e kampionit evropian në Formula 3, ndërsa dy vjet më vonë u shpall kampion i Formula 2, duke siguruar kalimin në elitën e garave automobilistike. Në Formula 1, Mick garoi për dy sezone me ekipin Haas, përpara se të merrte rolin e pilotit rezervë te Mercedes. Në vitet 2024 dhe 2025, ai garoi në Kampionatin Botëror të Qëndrueshmërisë me Alpine.
Rrugëtimi i tij sportiv vazhdon në Shtetet e Bashkuara, ku këtë vit garon në kampionatin IndyCar me ekipin Meyer Shank Racing. Por, përtej rezultateve dhe karrierës, Mick ka një dëshirë që asnjë sukses sportiv nuk mund ta zëvendësojë: të mund të ulej edhe një herë përballë të atit dhe të fliste me të për botën që i bashkon të dy. Një bisedë që sot mbetet vetëm një dëshirë, por që për Mick Schumacher duket se do të kishte më shumë vlerë se gjithçka tjetër.