Këshilli i Ministrave miraton kompensimin për bizneset e dëmtuara nga dhuna në protesta
Këshilli i Ministrave ka miratuar dy akte normative që lidhen me kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve dhe ndryshimet në ligjin për tubimet. Kompensimi për bizneset e dëmtuara do të mbulojë dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve.

Këshilli i Ministrave ka miratuar dy akte normative që lidhen me kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve dhe ndryshimet në ligjin për tubimet. Kompensimi për bizneset e dëmtuara do të mbulojë dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, në periudhën 13–22 tetor 2026. Përfitues mund të jenë personat fizikë ose juridikë privatë që ushtrojnë aktivitet si biznese dhe tatimpagues, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, sipas deklaratës vjetore të vitit 2025.
Ndër masat e reja parashikohen kompensimi për bizneset e dëmtuara, kufizime të përkohshme në zona të caktuara dhe gjoba administrative deri në 500 mijë lekë. Skema e kompensimit nga shteti do të mbulojë dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve.
Akti tjetër normativ parashikon shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23 prill 2001, “Për tubimet”. Ndryshimet përcaktojnë kufizime të përkohshme në zona të caktuara, përfshirë stacionet dhe terminalet e transportit publik, portet, aeroportet, perimetrat përreth institucioneve arsimore e shëndetësore, si dhe objektet e trashëgimisë kulturore.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu masa për rastet kur, përmes rrjeteve sociale, postës elektronike apo komunikimeve telefonike, shpërndahen mesazhe që përmbajnë thirrje për dhunë në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi. Në këto raste, Policia e Shtetit do të kërkojë fshirjen e përmbajtjes dhe mos përsëritjen e veprimeve të tilla, duke njoftuar personat përgjegjës se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.
Ndërkohë, masat për kundërvajtjet administrative janë ndryshuar, me gjoba që variojnë nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë. Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu disa vendime të tjera, duke përfshirë mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të Erjon Vishkullit në masën 5 milionë lekë dhe miratimin e Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe planit të veprimit deri në vitin 2030.