"Rama dhe Berisha kanë nevojë për njëri-tjetrin", Kulla flet për zgjedhjet e parakohshme: Studentët mund të krijojnë një alternativë të re
Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka analizuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato vendore, duke theksuar se një skenar i tillë do të kërkonte marrëveshje mes forcave kryesore politike.

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka analizuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato vendore, duke theksuar se një skenar i tillë do të kërkonte marrëveshje mes forcave kryesore politike. Sipas tij, protestat studentore kanë ndryshuar dinamikën politike, ndërsa Partia Demokratike rrezikon të humbasë terren përballë alternativave të reja.
“Unë nuk mendoj që Partia Demokratike në kushtet që është të shkojë në zgjedhje”, deklaroi ai, duke shtuar se kjo vlen si për zgjedhjet vendore, ashtu edhe për ato parlamentare. Megjithatë, Kulla theksoi se një marrëveshje politike për zgjedhje të parakohshme nuk mund të realizohet pa përfshirjen e Partisë Demokratike dhe të kryeministrit Edi Rama.
“Nuk bëhen zgjedhje pa Partinë Demokratike, Rama e ka shumë të qartë këtë gjë”, u shpreh eksperti. Sipas tij, një proces i tillë do të kërkonte marrëveshje politike dhe ndryshime ligjore që duhet të kalohen në Kuvend.
Duhet të ketë një marrëveshje e cila shkon në parlament, sepse zgjedhjet duhet të kenë ndryshimin e ligjit zgjedhor. Ndaj thashë që nuk bëhen pa Ramën, nuk ka zgjidhje pa Ramën, por nuk ka zgjidhje as vetëm me Ramën. E njëjta gjë vlen dhe për Partinë Demokratike”, deklaroi Kulla.
Një pjesë të rëndësishme të analizës së tij Kulla ia kushtoi protestave studentore, të cilat, sipas tij, kanë krijuar një dinamikë të re, duke sfiduar rolin tradicional të partive të mëdha. Ai argumentoi se përfshirja e studentëve në protesta ka nxjerrë në pah vështirësinë e opozitës për të përfshirë pakënaqësinë qytetare.
“Sot pra studentët janë futur në mes dhe e kanë shkatërruar. Partitë e mëdha po e humbin dhe ata po anashkalojnë opozitën”, u shpreh Kulla.
Eksperti vlerësoi se partitë që kanë përfshirje parlamentare nuk kanë interes të ndërmarrin hapa që mund të dobesojnë pozitat e tyre politike, ndaj çdo zgjidhje do të kërkonte negociata.
“Edhe në qoftë se sot do të kishte një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme, kjo do të ishte një marrëveshje në të cilën do të ishte dhe Partia Demokratike”, theksoi ai.
I pyetur nëse studentët shqiptarë duhet të ndjekin modelin e protestave në Serbi dhe të krijojnë një lëvizje të tyre politike, Kulla tha se dy vendet kanë kontekste të ndryshme politike, shoqërore dhe elektorale.
Sipas tij, në Serbi ndikojnë faktorë të vëçantë, përfshirë rolin e Kishës Ortodokse Serbe, nacionalizmin dhe marrëdhëniet me Rusinë, të cilët e bëjnë të vështirë krahasimin drejtpërdrejtë me Shqipërinë.
“Ne nuk kemi ngjashmëri fare me Serbinë. Në Serbi ka dhe faktorë të tjerë elektoralë, siç është kisha serbe, siç është lidhja e nacionalizmit serb me atë rus”, deklaroi ai.
Megjithatë, eksperti theksoi se lëvizja studentore mund të përballet në të ardhmen me nevojën për të krijuar një përfaqësim të strukturuar politik.
“Nëse studentët do të kenë një strategji, do të vijë një moment, ndoshta s’është tani, por do të vijë një moment i dytë apo i tretë, në të cilin ata duhet të prodhojnë një alternativë politike. Ndonëse jo piramidale siç kanë dëshirë ta kenë, po të shtrirë”, u shpreh Kulla.
Në përfundim, ai theksoi se çdo ndryshim i qëndrueshëm politik dhe institucional do të kërkonte ndërhyrje ligjore, të cilat mbeten në duart e forcave parlamentare.
“Nëse do të kemi një reflektim, i bërë me ligje, pra siç kërkon sheshi, ato ligje kalojnë prapë nga deputetët e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike. Kështu që është shumë e komplikuar si gjë, nuk është aq e thjeshtë sa në Serbi”, përfundoi Kulla.