Urdhër-arrest për 68 persona në Stamboll, mes tyre dhe nënkryetarë bashkie, për abuzime me tenderët e lejet për biznese
68 persona, përfshirë nënkryetarë të bashkisë dhe anëtarë të këshillit bashkiak, janë arrestuar në Stamboll për shkelje në procedurat e dhënies së lejeve për biznese.

Një operacion i madh është zhvilluar në orët e mëngjesit në Bashkinë e Bakırköy në Stamboll, në kuadër të një hetimi për dyshime për parregullsi në tendera dhe procedurat e dhënies së lejeve për biznese. Për 68 persona është lëshuar urdhërarrest, ndërsa 56 prej tyre janë ndaluar, mes tyre gjashtë nënkryetarë të bashkisë, dy anëtarë të këshillit bashkiak dhe punonjës të institucionit.
Sipas Prokurorisë së Bakırköy, dyshohet se në procedurat e prokurimit publik janë kryer shkelje që kanë shkaktuar dëm financiar për shtetin. Gjithashtu, pretendohet se pronarëve të bizneseve që kërkonin leje ushtrimi aktiviteti u janë kërkuar para në mënyrë të paligjshme, ndërsa procedurat për ata që nuk paguanin janë vonuar qëllimisht.
Operacioni u zhvillua në të njëjtën ditë kur pritej që kryebashkiakja Ayşegül Ovalıoğlu dhe anëtarë të këshillit bashkiak të largoheshin nga Partia Popullore Republikane (CHP) për t’iu bashkuar partisë Yeni Parti. Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna që ta lidhin drejtpërdrejt operacionin me këtë zhvillim politik.