Buxheti 2027: Fondi për shërbimet shëndetësore rritet më pak se inflacioni
Sipas projektbuxhetit 2027, fondi i sigurimeve shëndetësore do të arrijë në 70.3 miliardë lekë, duke rritur vetëm 1.5% në vitin 2027, më pak se inflacioni i parashikuar prej 3%. Kjo ecuri krijon presion mbi financimin e shërbimeve shëndetësore.

Sipas projektbuxhetit 2027, fondi i sigurimeve shëndetësore do të arrijë në 70.3 miliardë lekë, nga 69.3 miliardë lekë që është plani i rishikuar për vitin 2026. Shtesa është vetëm 1 miliard lekë dhe, nëse inflacioni realizohet sipas parashikimit të qeverisë, fuqia reale financuese e fondit do të tkurret me rreth 1.5%.
Fondi i sigurimeve shëndetësore, që financon një pjesë të madhe të funksionimit të spitaleve, qendrave shëndetësore, shërbimeve mjekësore dhe barnave të rimbursueshme, do të rritet me vetëm 1.5% në vitin 2027, më pak se inflacioni i parashikuar prej 3%. Ndërkohë, shpenzimet kapitale do të zgjerohen me 14.4%, pavarësisht se investimet publike janë zëri buxhetor me probleme të përsëritura në realizimin e fondeve të planifikuara.
Për çdo 1 miliard lekë shtesë që planifikohet për fondin e sigurimeve shëndetësore në vitin 2027, qeveria parashikon mbi 25 miliardë lekë më shumë për investimet kapitale. Megjithatë, ndryshimi me rëndësishëm nuk lidhet vetëm me madhësinë e fondeve, por me aftësinë e institucioneve për të shpenzuar ato. Ndryshe nga projektet kapitale, që mund të shtyhen në kohë për shkak të problemave me prokurimet, projektimin apo zbatimin, shërbimet shëndetësore kanë nevojë të vazhdueshme financimi gjatë gjithë vitit. Spitalet, qendrat shëndetësore dhe skemat e rimbursimit të barnave duhet të përballojnë kërkesën për shërbime pavarësisht ecurisë së investimeve publike.
Pikërisht për këto arsye, orientimi i shtesave buxhetore krijon një debat mbi prioritetet e financimit publik, sidomos kur fondet e investimeve nuk realizohen sipas parashikimeve. Për vitin 2027, investimet kapitale parashikohen të jenë 20.6% të shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa fondi i sigurimeve shëndetësore vetëm 7.2%, në një kohë që Shqipëria ka nevojë akute për plotësimin e nevojave me medikamente, sidomos për neoplazmat.