Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri kundërshton rritjen e taksave në Paketën Fiskale 2027
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka kundërshtuar rritjen e propozuar të barrës tatimore në Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se ndryshimet mund të dëmtojnë klimën e biznesit, të frenojnë investimet e huaja dhe të rrisin kostot për konsumatorët.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, të cilat parashikojnë një rritje të konsiderueshme të barrës tatimore për bizneset dhe ndryshojnë kushtet mbi bazën e të cilave sipërmarrjet kanë ndërtuar planet e tyre të aktivitetit, financimit dhe investimeve.
AmCham vlerëson se çdo ndryshim i rëndësishëm në politikat fiskale duhet të mbështetet në një analizë të plotë të ndikimit ekonomik dhe social, në vlerësimin e kostove dhe përfitimeve të pritshme, si dhe në një proces të mirëfilltë konsultimi me komunitetin e biznesit përpara vendimmarrjes përfundimtare.
Ndryshimet e propozuara prekin njëkohësisht disa prej elementeve kryesore të sistemit tatimor, duke përfshirë rritjen e tatimit mbi dividendët, rritjen e normës standarde të TVSH-së dhe ndryshime në tatimin mbi të ardhurat nga punësimi. Këto masa mund të pakësojnë fondet e disponueshme për riinvestim, të ulin kthimin nga kapitali dhe të ndikojnë në kostot e aktivitetit, punësimin dhe planet e zgjerimit të bizneseve.
AmCham kërkon një analizë të ndikimit neto të ndryshimeve mbi çmimet e konsumit, fuqinë blerëse dhe buxhetet familjare, si dhe sqarimin e mekanizmave të monitorimit për të vlerësuar nëse objektivat sociale të synuara do të arrihen realisht.
Për AmCham, zgjerimi i bazës tatimore, zbatimi i barabartë i ligjit dhe lufta efektive kundër informalitetit përbëjnë një qasje më të qëndrueshme për rritjen e të ardhurave publike, financimin e nevojave sociale dhe ruajtjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.