PS kërkon përjashtimin e Berishës dhe 6 deputetëve të tjerë të PD për shkeljet në Kuvend
Partia Socialiste (PS) ka kërkuar përjashtimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës, dhe gjashtë deputetëve të tjerë të PD për shkeljet në Kuvend gjatë seancës plenare të 29 tetorit. Kërkesa është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.

PS kërkon përjashtimin e Sali Berishës për 10 ditë, ndërsa për gjashtë deputetë të tjerë propozon një masë më të rëndë, prej 60 ditësh. Kërkesa është bazuar në pretendimet se deputetët e opozitës penguan zhvillimin e punimeve parlamentare dhe krijuan tensione gjatë seancës.
Deputetët e opozitës, Bledion Nallbati, Ivi Kaso, Blendi Himçiu dhe Xhelal Mziu, akuzohen për përdorimin e lendeve ose mjeteve piroteknike, ndërsa Blendi Himçiu, Albana Vokshi dhe Klodiana Çapja pretendohet se hodhën sende të forta në drejtim të drejtuesit të seancës dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Dokumenti përmend gjithashtu bllokimin e foltores, zhurmën e vazhdueshme dhe përdorimin e mjeteve fryrëse nga deputetët e opozitës, veprime që, sipas socialistëve, penguan zhvillimin e rregullt të procedurave parlamentare.
PS propozon përjashtimin për 60 ditë të Bledion Nallbatit, Ivi Kasos, Blendit Himçiu, Xhelal Mziut, Albana Vokshit dhe Klodiana Çapjas, sipas nenet 63 dhe 65/1 të Rregullores së Kuvendit dhe neni 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit. Masat e kërkuara do të shqyrtohen nga organet përkatëse parlamentare.