Nënshkruhet marrëveshja për Parkun Eolik të Spillesë, Karakaçi: Projekti është gati për ndërtim, operimi nis në 2028
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se projekti me kapacitet të instaluar prej 72.6 megavatësh është gati për ndërtim, ndërsa operimi tregtar parashikohet të nisë në tremujorin e parë të vitit 2028.

Shqipëria hedh një hap të ri drejt diversifikimit të burimeve të energjisë, me nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e Parkut Eolik të Spillesë, në Bashkinë e Rrogozhinës. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se projekti me kapacitet të instaluar prej 72.6 megavatësh është gati për ndërtim, ndërsa operimi tregtar parashikohet të nisë në tremujorin e parë të vitit 2028. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë austriake VERBUND, ministri Karakaçi e cilësoi projektin një zhvillim me rëndësi strategjike për sektorin energjetik shqiptar, pasi shënon kalimin nga potenciali i energjisë së erës drejt realizimit konkret të një parku eolik në vend. Sipas ministrit, investimi synon të kontribuojë në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese nga burimet e rinovueshme dhe në forcimin e sigurisë energjetike, duke plotësuar prodhimin nga hidrocentralet me energji të erës dhe diellit. Parku do të ndërtohet në zonën e Spillesë, në Bashkinë e Rrogozhinës, pranë bregdetit të Adriatikut. Ministri bëri të ditur se projekti ka përmbushur kushtet e nevojshme për nisjen e punimeve, përfshirë marrjen e lejes së ndërtimit dhe nënshkrimin e marrëveshjes për shitblerjen e energjisë elektrike. Projekti vjen si rezultat i ankandit të parë për parqet eolike të zhvilluar në Shqipëri, nga i cili u përzgjodhën tri projekte. Sipas Karakaçit, Parku Eolik i Spillesë, i zhvilluar nga VERBUND, është i pari mes tyre që ka përmbushur parakushtet për nisjen e punimeve në terren. Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e këtij investimi për ekonominë lokale, duke përmendur përmirësimin e aksesit rrugor dhe mundësitë për përfshirjen e kompanive e nënkontraktorëve shqiptarë gjatë zbatimit të projektit.