Kuvendi miraton ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, i cili përcakton imunitetin e Guvernatorit të Bankës dhe kufizimet e kontrollit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, i cili përcakton imunitetin e Guvernatorit të Bankës dhe kufizimet e kontrollit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ligji i ri përcakton se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk mund të ndalohet ose të privohet nga liria e lëvizjes dhe ajo personale nëpërmjet masave shtrënguese, si dhe nuk i nënshtrohet kontrollit personal apo të banesës për vepra penale që lidhen me ushtrimin e detyrës.
Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi kanë vendosur të miratojnë propozimin që Guvernatori të ketë imunitet nga arrestimi, por me disa ndryshime nga varianti i propozuar fillimisht nga Banka e Qendrore. Në variantin e votuar nga Kuvendi, imuniteti nga arrestimi kufizohet vetëm te veprat penale që lidhen me ushtrimin e detyrës, ndërsa një privilegj i tillë nuk parashikohet shprehimisht për zëvendësguvernatorët.
Ligji i ri do të shtrijë efektet që nga 1 janari 2027, por dispozitat për imunitetin e Guvernatorit do të bëhen efektive vetëm pasi të jenë miratuar ndryshimet e nevojshme në Kodin e Procedurës Penale. Një rishikim i rëndësishëm i ligjit është edhe heqja e përshtatimit nga ligji për prokurimet publike, që Banka e Shqipërisë gozon me ligjin aktual. Ligji i ri parashikon që Banka e Shqipërisë është subjekt i legjislacionit për prokurimin publik. Ky ndryshim do të hyjë në fuqi prej 1 janarit 2028.
Rrezohet eliminimi i Inspektorit të Përgjithshëm, por kufizohet kontrolli nga KLSH. Ligji i miratuar nga Kuvendi të enjten do të ruajë pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, të zgjedhur nga Parlamenti. Sipas variantit të propozuar nga Banka e Shqipërisë, kontrolli i brendshëm do të kryhej nga Departamenti i Auditit të Brendshëm. Drejtori i Auditit të Brendshëm të Bankës së Shqipërisë do të emërohej nga Këshilli Mbikëqyrës, me propozim të Guvernatorit. Ai do të ketë një mandat pesëvjeçar, me të drejtën riemërimit.
Por, qeveria dhe Kuvendi e kanë rrëzuar një propozim të tillë dhe kanë ruajtur parashikimet e ligjit të mëparshëm, sipas të cilave Departamenti i Auditimit të Bankës së Shqipërisë drejtohet nga Inspektori i Përgjithshëm. Ai zgjidhet nga Kuvendi për një mandat pesëvjeçar, me të drejtën riemërimit.
Një rishikim i rëndësishëm i ligjit është edhe vendosja kufizimeve lidhur me të drejtat e kontrollit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit do të autorizohet të auditojë vetëm operacionet dhe veprimtaritë administrative të Bankës së Shqipërisë, përfshirë ato që lidhen me aktivet, pajisjet, shërbimet mbështetëse, burimet njerëzore dhe administrimin.