Meloni "kopjon" Raman, edhe italianët do të paguajnë për targat e personalizuara
Kryeministri italiane Giorgia Meloni ka propozuar që qytetarët të mund të zgjedhin kombinimin e shkronjave dhe numrave në targat e tyre, kundër një pagese të caktuar.

Kryeministri italiane Giorgia Meloni ka propozuar një model të ngjashëm me atë që është në Shqipëri për targat e personalizuara. Qytetarët italianë do të mund të zgjedhin kombinimin e shkronjave dhe numrave në targat e tyre, kundër një pagese të caktuar.
Meloni ka prezantuar propozimin gjatë diskutimeve për buxhetin italian të vitit 2027, duke e përshkruar atë si një mundësi që qytetarët të shprehin individualitetin dhe krijimtarinë e tyre. "Të gjithë do të mund të shprehin pak a shumë siç deshirojnë, natyrish kundër një çmimi të arsyeshëm", deklaroi Meloni.
Sipas propozimit, një targë e personalizuar për automjetet do të kushtojë rreth 600 euro, ndërsa për motociklet rreth 360 euro. Ministria italiane e Financave nuk ka dhënë ende një vlerësim konkret për të ardhurat që mund të sigurohen nga kjo masë.
Aktualisht, targat italiane ndjekin një format të standardizuar me dy shkronja, tre numra dhe dy shkronja të tjera. Ende nuk është sqaruar se sa liri do të kenë qytetarët për të ndryshuar këtë kombinim.
Propozimi ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale italiane, ku përdoruesit kanë komentuar me ironi vendimin e qeverisë për t'u përqendruar te targat e personalizuara në një periudhë shqetësimesh për ekonominë dhe koston e jetës.
Në një nga imazhet satirike që qarkulluan në internet, Meloni paraqitet e veshur si mbretëresha franceze Marie Antoinette, duke mbajtur një tabakë me targa automjetesh dhe me mbishkrimin: "Le të hanë targa të personalizuara". Imazhi ironizon përparësitë e qeverisë, duke iu referuar shprehjes së njohur që tradicionalisht i atribuohet mbretëreshës franceze.
Megjithatë, jo të gjithë kanë kundërshtuar propozimin. Përfaqësues të sektorit të taksive kanë mirëpritur mundësinë e përdorimit të targave të personalizuara, duke argumentuar se ata mund të ndihmojnë në identifikimin e mjeteve të licencuara dhe në luftën kundër transportit të paligjshëm.
Kritikat më të forta kanë ardhur nga opozita italiane, e cila akuzon qeverinë se po i kushton vëmendje një çështjeje dytësore, ndërkohë që qytetarët përballen me probleme ekonomike dhe sociale.
Deputeti i Lëvizjes Pesë Yje, Francesco Silvestri, reagoi me ironi ndaj propozimit. "Meloni duhet ta dijë se italianët e kanë zgjedhur tashmë targën e tyre dhe ajo thotë: 'Meloni, largohu'", deklaroi ai.
Në Shqipëri, targat e personalizuara janë tashmë pjesë e shërbimeve që ofrohen për drejtuesit e automjeteve, Italia synon të ndjekë të njëjtin praktikë. Nëse propozimi miratohet, qytetarët italianë do të mund të paguajnë për një targë sipas preferencës së tyre, duke i shtuar një tjetër ngjashmëri politikave të dy vendeve, përtej marrëdhënieve të afërt mes Ramës dhe Melonit.