Bosi i mafies turke ekzekutuar brenda spitalit në Spanjë
Bosi i mafies turke, Mekin Buyukdeniz, është ekzekutuar brenda një spitali në Spanjë, në sy të bashkëshortes së tij. Ai drejtonte organizatën kriminale "10 Vëllezër" në Stamboll.

Bosi i mafies turke, Mekin Buyukdeniz, është ekzekutuar brenda një spitali në Spanjë, në sy të bashkëshortes së tij. Ai drejtonte organizatën kriminale "10 Vëllezër" në Stamboll. Sipas raportimeve të mediave, autori ka hyrë në ambientet e spitalit me një helmet në kokë dhe është drejtuar drejt dhomës ku Buyukdeniz po merrte trajtim mjekësor. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar lëvizjet e tij para se të hynte në dhomë dhe ta qëllonte për vdekje.
Buyukdeniz ndodhej në spital prej 16 tetorit, pasi i kishte mbijetuar një atentat në rrugë. Atë ditë, një automjet iu afrua ndërsa po ecte dhe persona ende të paidentifikuar qëlluan rreth dhjetë herë në drejtim të tij. Nga sulmi, ai mori plagë kryesisht në këmbë dhe autoritetet e transportuan në spital për trajtim.
Sipas mediave turke, pas atentatit të parë Buyukdeniz kishte refuzuar të deshmonte para autoriteteve spanjolle. Për këtë arsye, policia nuk kishte vendosur efektiv për të ruajtur dhomën e tij në spital. Megjithatë, ai kishte angazhuar një truprojë private, pasi dyshonte se autorët mund të tentonin sërish ta vrisnin.
Atentati i dytë përfundoi me vrasjen e tij brenda institucionit shëndetësor, në prani të bashkëshortes. Ekzekutimi ka ngritur pyetje mbi masat e sigurisë në spital dhe mënyrën se si autori arriti të hynte në dhomën e një personi që vetëm dy javë më parë kishte qenë objektiv i një atentati me armë zjarri. Deri tani, raportimet nuk japin të dhënë për identitetin e autorit, arrestimin e tij apo motivin e vrasjes.