Aktualitet

Fatura e arbitrazhit arrin 185 mln euro, mbi 10 mln euro janë kostet ligjore

3 min leximPublikuar më

Burimi: Monitor ·

Detyrimet e Shqipërisë nga çështjet e arbitrazhit ndërkombëtare kanë arritur në 184.7 milionë euro deri në fund të shtatorit 2026, prej të cilave mbi 10 milionë euro përfaqësojnë vetëm kostet ligjore, administrative, gjyqësore dhe të përfaqësimit.

Foto nga burimi: Arbitrazhet, fatura arrin në 185 mln euro, mbi 10 mln euro vetëm kosto ligjore

Detyrimet e Shqipërisë nga çështjet e arbitrazhit ndërkombëtare kanë arritur në 184.7 milionë euro deri në fund të shtatorit 2026, prej të cilave mbi 10 milionë euro përfaqësojnë vetëm kostet ligjore, administrative, gjyqësore dhe të përfaqësimit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, rreth 74.5 milionë euro klasifikohen si detyrime të mbështetura në vendimet e arbitrazhit dhe kostet ligjore, ndërsa 110.2 milionë euro janë detyrime kontingjente, që mund të rëndojnë mbi buxhetin e shtetit në varësi të zhvillimeve të mëtejshme ligjore.

Të dhënat, të publikuara në tabelat fiskale të Ministrisë së Financave, tregojnë se përveç vlerës së dëmshpërblimeve të vendosura në proceset e arbitrazhit, shteti shqiptar përballet edhe me një faturë të konsiderueshme për shpenzimet e mbrojtjes dhe të përfaqësimit ligjor.

Deri në shtator 2026, këto kosto arrijnë në 10.15 milionë euro, duke përfshirë detyrimet e evidentuara dhe ato kontingjente. Fatura më e lartë e kostove ligjore lidhet me çështjen e arbitrazhit “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, për të cilën janë evidentuar rreth 3.95 milionë euro shpenzime ligjore. Nga këto, 2.77 milionë euro janë klasifikuar si detyrim i mbështetur në vendim arbitrazhi ose kostet ligjore, ndërsa 1.18 milionë euro si detyrim kontingjent.

Një tjetër shumë e konsiderueshme, prej 1.9 milionë eurosh, lidhet me përfaqësimin në çështjen e arbitrazhit të shoqërisë Erjoni sh.p.k. kundër institucioneve shqiptare.

Për çështjen e investitorëve ICAZ LK Invest dhe Novomatic AG kundër Shqipërisë janë evidentuar 1.6 milionë euro shpenzime përfaqësimi, ndërsa për çështjen e GBC Oil Company kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, AKBN-së dhe Albpetrolit, kostot ligjore arrijnë në rreth 1.46 milionë euro.

Peshën më të madhe në ekspozimin financiar të Shqipërisë nga arbitrazhet ndërkombëtare e zë çështja “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, njohur si çështja Becchetti një konflikt mes shtetit shqiptar dhe një grupi investitorësh italjanë, i cili përfundoi me një vendim arbitrazhi në vitin 2019 që detyron Shqipërinë të paguajë rreth 110 milionë euro, përfshirë kostot ligjore. Sipas Ministrisë së Financave, kjo çështje përfaqëson 108.3 milionë euro detyrime kontingjente, pa përfshirë kostot përkatëse ligjore.

Detyrimet kontingjente janë detyrime të mundshme financiare, realizimi i të cilave varet nga zhvillimi dhe përfundimi i proceseve ligjore. Për këto arsye, ata nuk klasifikohen si borxh përfundimtar për t’u shlyer. Megjithatë, këto shuma përfaqësojnë një rrezik fiskal për buxhetin e shtetit, pasi në rast të materializimit të tyre mund të krijojnë nevoja të reja financimi.

Ndër detyrimet e mbështetura në vendimet e arbitrazhit, peshën më të madhe e zë çështja Copri-Aktor kundër Autoritetit Rrugor Shqiptar, me një vlerë prej 41.14 milionë eurosh, së cilës i shtohen edhe 150 mijë euro kosto ligjore dhe gjyqësore. Një tjetër detyrim i konsiderueshëm lidhet me arbitrazhin e shoqërisë italiane Construzioni Dondi S.p.A., me 13.28 milionë euro, përveç 28,500 eurove shpenzime administrative dhe ligjore.

Ndërkohë, çështja GBC Oil Company kundër institucioneve shqiptare përfaqëson një detyrim prej 11.86 milionë eurosh, të cilin i shtohen rreth 1.46 milionë euro kosto ligjore.

Në total, ekspozimi financiar i shtetit shqiptar nga arbitrazhet ndërkombëtare arrin në 184.74 milionë euro deri në shtator 2026.

Nga kjo shumë, 10.15 milionë euro lidhen me kostet ligjore, gjyqësore, administrative dhe të përfaqësimit, ose rreth 5.5% e totalit.

Të dhënat tregojnë se proceset e arbitrazhit krijojnë kosto për financat publike jo vetëm përmes dëmshpërblimeve të vendosura ose të mundshme, por edhe përmes shpenzimeve të konsiderueshme të mbrojtjes ligjore. Këto shpenzime mund të lindin pavarësisht rezultatit përfundimtar të çështjeve dhe u shtohen rrezikëve fiskale që burojnë nga konfliktet e shtetit me investitorët dhe subjektet private.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtën e autorësisë”.

Përmbajtje e përgatitur me ndihmën e automatizimit dhe me citim të burimit. Citimi nuk përbën verifikim të pavarur.

PARASHIKIMI I MOTIT

Moti në qytetin tënd

Po ngarkohet parashikimi…

Parashikimi nga tani: MET Norway · CC BY 4.0

HOROSKOPI I DITËS

Një çast për veten

Marrëdhëniet

Puna dhe planet

· Lexim për argëtim, i përzgjedhur automatikisht çdo ditë.