Parashikimi i motit në ditët në vijim: shi, shtrëngata dhe dëborë në zonat malore
Moti do të jetë i paqëndrueshëm në të gjithë vendin, me vranësira, reshje shi dhe shtrëngata lokale. Në zonat malore të veriut dhe juglindjes priten edhe reshje dëborë.

Gjatë shtunës dhe të dielës, vendi do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira mesatare deri te dendura, të cilat do të alternohen herë pas here me intervale kthjellimesh. Reshjet e shiut do të jenë të herëpasershme dhe kryesisht me intensitet të ulët, por në periudha të shkurtra dhe në zona të caktuara mund të shoqërohen me shtrëngata dhe intensitet mesatar.
I paqëndrueshëm do të vijojë të jetë moti edhe në ditët e para të javës së ardhshme. Sipas sinoptikanit, deri te martën priten vranësira të dendura, reshje të herëpasershme shi dhe shtrëngata lokale, të cilat në disa zona mund të shoqërohen edhe me shkarkesa elektrike.
Megjithatë, një përmiërësim i kushteve atmosferike parashikohet të nisë nga dita e mërkurës, kur moti do të jetë kryesisht i kthjellët, me kalime të herëpasershme të vranësirave.
Bien temperaturat, priten reshje dëborë në zonat malore
Sa u përket temperaturave, Jahaj bëri të ditur se vlerat maksimale në mesditë pritet të zbresin në 16-17 gradë Celsius për shkak të reshjeve, ndërsa në ditën e caktuar do të ngjiten sërish në 20-21 gradë Celsius.
Në orët e mëngjesit, temperaturat minimale në zonat malore do të zbresin në 4-6 gradë Celsius, ndërsa në Ultësirën Perëndimore do të luhaten nga 8 deri në 10 gradë Celsius.
Ndërkohë, reshje dëborë me intensitet të ulët priten në relievet malore të verilindjes dhe juglindjes, kryesisht në lartësia mbi 1000-1200 metra.
Edhe era do të jetë një tjetër element i motit që duhet pasur parasysh, veçanërisht të hënën dhe të martën. Sipas parashikimit, ajo do të fryjë kryesisht nga verilindja në juglindje, me intensitet të lehtë gjatë pjesës më të madhe të periudhës.
Megjithatë, në dy ditët e para të javës së ardhshme era pritet të forcohet, me shpejtësi mesatare deri në 9 m/s dhe momente të caktuara kur mund të arrijë 18-19 m/s.
Nga dita e mërkurës, me përmiërësimin e kushteve atmosferike, pritet edhe stabilizimi gradual i motit në territorin shqiptar.