Berisha: Nuk bëhem kryeministër nëse fitoj zgjedhjet, vetëm me referendum
Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të bëhet kryeministër nëse Partia Demokratike fiton zgjedhjet parlamentare, por vetëm nëse fiton referendumin. Ai propozoi një formulë për zgjedhjen e kryeministrit me referendum, duke sugjeruar se referendumi mund të zhvillohet me tri ose katër kandidatura.

Kreu demokrat Sali Berisha ka paraqitur një formulë të re për zgjedhjen e kryeministrit në rast se Partia Demokratike fiton zgjedhjet parlamentare. Në një intervistë në emisionin "Çdo kënd" në A2 CNN, ai deklaroi se nuk do të marrë automatikisht drejtimin e qeverisë, por do të i nënshtrojë kandidaturën e tij votës së qytetarëve.
"Nuk bëhem kryeministër nëse fitoj zgjedhjet. Jo. Bëhem kryeministër me referendum. Po fitova zgjedhjet, do votojë edhe njëherë shqiptarët për kryeministrin", tha Berisha.
Sipas tij, referendumi mund të zhvillohet me tri ose katër kandidatura, pa pasur nevojë për ndërhyrje në Kushtetutën e Shqipërisë.
"Kushtetuta nuk pengon, se ti u jep mundësi me 3-4 kandidatura me referendum popullor. Absolutisht asnjë ambicie, por respekt. Se nëse ti udhëheq fushatën dhe fiton, të gjitha ato që u ke thënë qytetarëve, ata kanë të drejtë. Atëherë del problemi që ata duhet të vendosin vëçmas për kandidaturat e kryeministrit", u shpreh ai.
Por formula që propozon Berisha ngre një çështje kushtetuese. Kushtetuta e Shqipërisë, në nenet 96, përcakton se Presidenti i Republikës emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Ajo nuk parashikon zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit me referendum.
Berisha nuk shpjegoi se si do ta zbatonte rezultatin e një votimi të tillë brenda procedurës kushtetuese.
Gjatë intervistës, kreu demokrat deklaroi gjithashtu se opozita mund të fitojë zgjedhjet brenda një muaji, nëse ato zhvillohen pa Edi Rama në pushtet.
"Në kushte të lira, sot opozita fiton zgjedhjet nëse zgjedhjet bëhen brenda një muaji pa Edi Rama", tha Berisha.
Ai përshëriti edhe qëndrimin për kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate, duke e lidhur këto propozime me mungesën e rotacionit politik që prej vitit 2013.
"Jam, sepse nga viti 1990-2013 ka ndodhur 4 rotacione. Nga 2013 deri më sot asnjë rotacion, sepse në Shqipëri rotacionin e lejon krimi i organizuar me Edi Rama", deklaroi ai.
Berisha nuk paraqiti gjatë këtyre deklaratave një mekanizëm konkret për referendumin që propozon.