Krasniqi: Arlinda Zekaj dokumentoi gjithçka, një rrjet pengoi zbatimin e vendimit të gjykatës
Gazetari Vullnet Krasniqi ka thënë se Arlinda Zekaj kishte dokumentuar çdo hap të kërkimit të ndihmës, por askush nuk arriti ta mbronte. Ai ka thënë se rasti i Arlindës Zekaj ka nxitur një revoltë të re qytetare në Kosovë dhe që është e paprekur politikisht deri më tani.

Gazetari Vullnet Krasniqi ka folur në “Review” me Greta Topjana lidhur me rastin tragjik të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj, pavarësisht se kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga organet kompetente. Krasniqi u shpreh se viktima kishte dokumentuar çdo hap të kërkimit të ndihmës, duke iu drejtuar institucioneve komunale, policisë, prokurorisë dhe gjykatës, por askush nuk arriti ta mbronte.
“Rasti ka nxitur një revoltë të re qytetare në Kosovë që nuk është parë më herët, një revoltë e re qytetare e cila është e paprekur politikisht deri më tani. Është pak e trishtë që është dashur një tragjedi e tillë e madhe për të krijuar këtë por megjithatë është dokumentimi më eklatant që i ka bërë një viktimë e dhunës në familje të gjithë shtetit. Viktima ka dokumentuar prej zyrave komunale që merren me fëmijët dhe me gratë, tek Policia e Komunës, tek Kryeprokuria, tek Gjykata, tek Inspektoriati, tek hetuesit, tek Ministria. Domethënë ajo e ka kryer punën e ka dokumentuar”, tha Krasniqi.
Sipas tij, tashmë përgjegjësia është që të zbardhen lidhjet mes personave dhe institucioneve në Pejë, të cilët, sipas tij, lejuan që një vendim gjykate të mos zbatohej dhe viktima të përfundonte sërish në shtëpinë e autorit të krimit.
“Tani, në të gjitha kë dosjet që unë i kam lexuar gjithë dëshmitë që janë dhënë. Ajo e ka kuptuar shumë mirë me çfarë shteti është duke u ballafaquar. E ka kuptuar shumë mirë me çfarë njerëzish ka të bëjë, i ka kuptuar dhe lidhjet. Detyrën që ne na ka lënë është ne ta zbërthejmë, edhe si gazetarë por dhe si shtet me zbërthy kush janë këta, ky rrjet i njerëzve në Pejë që munden me u bë të gjithë së bashku edhe mos me ja lënë një gruaje me zbatu një vendim që e ka dhënë gjykata. Kush janë ky rrjet kriminal që e çojnë viktimën tek shtëpia e vrasësit, që nuk e largojnë uzurpatorin prej asaj shtëpie. Kush janë ky rrjet kriminal që vendosen me zbatu kanunin e traditën e nuk vendosen me zbatu detyrën kryesore që e kanë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore”, shtoi gazetari Krasniqi.
Këto pyetje sado provinciale që tingëllojnë kjo është realiteti jonë. Qeveria e Kosovës, kryeministër Kurti duhet ta kuptojë këtë mentalitet. Nuk është e lejueshme që neve të na paraqitet sistemi i drejtësisë si një sistem paralel, si një shtet paralel në të cilin ne s’ paskemi asnjë lloj fuqie”, shtoi gazetari Krasniqi.
Gazetari theksoi gjithashtu se rasti ka nxitur një revoltë të re qytetare në Kosovë, e cila deri më tani nuk është përfshirë nga ndikimet politike. Ai i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të kuptojë realitetin me të cilin përballen gratë në vend dhe të garantojë sigurinë e tyre.
“Zoti Kurti duhet të ketë parasysh këtë, ai nuk është kryeministër që do të shtrijë sovranitetin. Ai është kryeministri që ne të na ofrojë siguri, edhe grave me i ofru siguri të cilat nuk kanë mundësi. Arlinda Zekaj ka pasur të drejtë pronësie. Kujtoj që shumica e grave në Kosovë nuk kanë as pronësinë e shtëpisë së tyre. Ajo ka pasur vend pune, shumica e grave në Kosovë nuk i kanë asnjë vend pune Ajo ka ditur çfarë të shkruajë. Ajo ka ditur çfarë është kryeprokurorja. Në Kosovë, gratë shumica nga fshatrat nuk e dinë as prokuroria çfarë është, as inspektoriati. Po ato ku të drejtohen? Kush i mbron? Është një pyetje që duhet ti përgjigjet Albin Kurti”, tha ai.