Familjet shqiptare po ndryshojnë dhe kjo ndikon në konsumin e tyre
Familjet shqiptare po zvogëlohen dhe kjo ndikon në mënyrën se si jetojnë dhe në çfarë gjëra blejnë. Konsumi organizohet rreth një personi dhe familjet me një person janë të prirura të kenë nevojë për çdo gjë.

Familja shqiptare po zvogëlohet dhe kjo nuk ndryshon vetëm mënyrën se si jetojmë. Po ndryshon edhe atë që blejmë, sa blejmë, çfarë banesash kërkojmë dhe cilat shërbime përdorim. Një apartament i vogël, një porosi darke për një, një abonim personal dhe vetëm një biletë avioni. Në pamje të para janë zgjedhje konsumi që nuk kanë shumë lidhje me njëra-tjetra.
Por pas tyre qëndron një ndryshim demografik që po krijon kategorinë e konsumatorit të vetëm. Familja shqiptare po zvogëlohet dhe kjo nuk ndryshon vetëm mënyrën se si jetojmë. Po ndryshon edhe atë që blejmë, sa blejmë, çfarë banesash kërkojmë dhe cilat shërbime përdorim.
Një ekonomi e ndërtuar për dekada rreth familjes po përballë gradualisht me një klient që kërkon shtëpi, ushqim, argëtim, udhëtime dhe shërbime vetëm për vete. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 numëroi 755,950 njësi ekonomike familjare në Shqipëri, me mesatarisht 3.2 anëtarë, nga 3.9 në Censin 2011. Po aq domethënëse është një tjetër shifër: 13.7% e familjeve shqiptare përbehen tashmë nga vetëm një person. Në terma absolutë janë rreth 104 mijë familje.
Pas këtyre 104 mijë dyerve nuk jeton vetëm stereotipi i profesionistit të ri që ka zgjedhur pavarësinë. Ka të rinj që janë larguar nga shtëpia e prindërve, të divorcuar, të veja dhe të ve, të moshuar që kanë mbetur vetëm dhe familje të ndryshuara nga emigracioni.
Arsyet janë të ndryshme, por nga këndvështrimi i tregut kanë një pikë të përbashkët: konsumi organizohet rreth një personi. Me pak njerëz, por me shumë njësi konsumi. Në një vend që po humbet popullsi, ideja se mund të krijohen tregje të reja duket në pamje të para kontradiktore. Por demografia e konsumit nuk përcaktohet vetëm nga numri i njerëzve. Përcaktohet edhe nga mënyra se si ata organizohen në familje.
Një familje me katër anëtarë ka nevojë për një frigorifer, një lavatriç, një kontratë interneti dhe një banesë. Këto familje me një person mund të kenë nevojë për katër. Kjo nuk do të thotë se konsumi këtofishohet. Do të thotë se një pjesë e ekonomive të shkallës që krijohen brenda familjes humbasin.
Për dekada, pjesë të mëdha të ekonomisë së konsumit janë ndërtuar mbi familjen. Apartamentet projektoheshin për disa banorë, supermarketet favorizonin paketimet e mëdha, pushimet shiteshin për çifte ose familje dhe kostot fikse të shtëpive ndaheshin mes disa personave.
Famija me një person e ndryshon këto aritmetikë. Në Evropë ky transformim është më i avancuar. Eurostat raporton se familjet me një të rritur pa fëmijë janë rritur ndjeshëm në dekadën e fundit. Shqipëria mbetet një shoqëri me familje mesatarisht më të madhe, por rënja nga 3.9 në 3.2 persona mes dy censeve tregon se drejtimi i ndryshimit është i qartë.
Sociologu Gëzim Tushi e sheh zvogëlimin e familjes si pjesë të një transformimi më të gjerë të shoqërisë shqiptare, ku modeli tradicional i familjes së madhe po humbet gradualisht terren përballë individualizimit të mënyrës së jetesës.
“Famija shqiptare ka ndryshuar jo vetëm në numër, por edhe në strukturë, në marrëdhëniet mes pjesëtarëve dhe në mënyrën se si organizohet jeta e individit.
Emigracioni, rënja e lindshmërisë, plakja e popullsisë, divorcet dhe forcimi i prirjeve individualiste kanë bërë që famija të jetë më e vogël dhe individit të bëhet gjithnjë e më shumë njësi autonome e jetës sociale dhe ekonomike”, shpjegon z. Tushi.
Sipas tij, në këtë kontekst, rënja e popullsisë nuk duhet lexuar automatikisht si rënje proporcionale e numrit të njësive të konsumit. Nëse e njëjta popullsi shpërndahet në familje më të vogla, shtohet numri i njësive që duhet të organizojnë më vete jetën e përditshme.
“Një individ që jeton vetëm ka nevojë për banesë, energji, pajisje, internet, ushqim, transport dhe shërbime. Pra, mund të kemi më pak njerëz, por një fragmentim më i madh të familjes dhe, për pasojë, më shumë njësi autonome konsumi. Ky është një ndryshim që nuk ka vetëm pasoja demografike dhe sociale, por edhe ekologjike”, thotë z. Tushi.